Dorëheqja e strukturave më të larta të partive politike, përfshi edhe atë të kreut të partisë, është institucion i pëlqyeshëm në demokraci që shpëton partitë nga shuarja e plotë.
Analistët politik vlerësojnë se praktika e glorifikimit të figurës së kreut të partisë në Maqedoni ka rezultuar fatale për vetë subjektet politike.
Dorëheqja e Mendu Thaçit nga pozicioni i kryetarit të PDSh-së vlerësohet si akt i pëlqyeshëm dhe llogaridhënie për rezultatin e dobët zgjedhor.
“Mendoj se dorëheqja është një institucion i preferuar për sistemet shumëpartiake dhe ajo ndodh dhe duhet të ndodh jo vetëm kur janë në pyetje zgjedhjet parlamentare, presidenciale apo vendore, kur partia nuk i ka rezultatet e duhura, por duhet të ndodh edhe në situata të tjera kur faktikisht një parti politike dështon në arritjen e rezultateve, në plotësimin dhe realizimin e platformës së saj dhe në realizimin e programit që e ka aprovuar si akt të rëndësishëm partiak”,- deklaroi profesori universitar, Kadri Osmani.
Edhe analisti, Visar Ademi, ndan bindjen se dorëheqja është akt moral i preferuar të ndodh pas çdo dështimi. Ai nuk përjashton mundësinë që akte të tilla edhe të keqpërdoren.
“Ky është moment i ri në skenën politike të Maqedonisë që personat po marrin përgjegjësi mbi vete dhe është për t’u përshëndetur. Në rast se këto janë lojëra politike, atëherë kthehemi mbas në vitet e komunizmit kur luhej, qoftë me ndjenjat e ithtarëve të partive, qoftë me ndjenjat e punonjësve që ata udhëheqin”,– u shpreh profesori universitar, Visar Ademi.
Dorëheqja e kreut të PDSh-së as është konfirmuar dhe as është mohuar zyrtarisht nga organet e kësaj partie. Akti mbështetet në statusin e kreut të PDSh-së të publikuar në profilin e tij në facebook.
“Sapo dorëzova dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Këshillit Drejtues të PDSh-së. Partinë Demokratike Shqiptare do ta drejtojë në mënyrë kolektive Këshilli Drejtues deri në Kongresin e jashtëzakonshëm, data e mbajtjes e të cilit do të caktohet nga Kuvendi Qendror i Partisë”,- ka shkruar kreu i PDSh-së në profilin e tij në facebook. /tvm2