Ambasadorja e Kroacisë në Maqedoni Nives Tiganj shpreson që Maqedonia e Veriut të arrijë konsensus me BE-në për fillim të bisedimeve qasëse deri në fund të këtij muaji. Ajo mendon se samiti i majit në Zagreb, është perceptuar gabimisht, sepse aty nuk mund të ketë ndonjë vendim për Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo deklaron se me qenë se Komisioni Evropian në raportin e progresit, përsëri propozoi hapje të bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në fund të muajit mars presin që të ketë vendim pozitiv për këto dy vende.
Nives Tiganj, ambasadore e Kroacisë në Maqedoni
“Sigurisht që presim dhe besojmë në rezultat pozitiv për atë që duhet të ndodhë në fund të këtij muaji. Pra, ne besojmë se si vend që kryeson Këshillin e Bashkimit dhe jemi fuqishëm të angazhuar për të arritur konsensus mes vendeve anëtare në Këshillin e BE-së, që vendimi të jetë pozitiv”.
Ambasadorja kroate thekson se për vendin tonë më me rëndësi është Këshilli që do të zhvillohet në mars se sa samiti i majit. Kjo pasi ky trup i BE-së, është ai i cili vendos për çështje të tilla, për hapje të bisedimeve, gjegjësisht për datë të fillimit të bisedimeve. Ndërkaq, samiti sqaron ajo më tej, ka dimension tjetër.
Nives Tiganj, ambasadore e Kroacisë në Maqedoni
“Pra, samiti do duhej të japë një dimenzion të ri, një korrnizë të qartë kohore të procesit të zgjerimit dhe perspektivës evropiane. Ndërsa ne duam që deri në samitin e Zagrebit të definohet, gjegjësisht të arrihet konsensuz me BE-në. Gjithashtu është me rëndësi që në atë samit KE-ja të përgatis një paketë investuese e cila do të mundësoj zhvillim ekonomik të atyre vendeve dhe të dakordoj mënyrë se si ato vende do të kyçen në politikën e planit të gjelbërt të presidentes së Komisionit Fon der Lajen”.
Ambasadorja Tiganj thotë se ata aspakt nuk mendojnë për alternativë tjetër veç fillimit të bisedimeve në këtë periudhë.
Sa i takon mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ajo u shpreh se është me rëndësi që këto zgjedhje të kalojnë në një atmosferë demokratike dhe të ndershme dhe se të gjitha subjektet politike të cilët marrin pjesë në garën zgjedhore do jenë të vetëdijshme për të gjitha vlerat demokratike.



