Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, dhe Kryetarin e Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.
Gjatë takimit, ambasadori Meidani i uroi dy kryetarët për mandatin e ri, duke i falënderuar për përkushtimin, punën e palodhur dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve që ata përfaqësojnë.
Në fokus të bisedimeve ishte rëndësia strategjike e Korridorit VIII, si një projekt me ndikim afatgjatë dhe potencial të madh për zhvillimin ekonomik, veçanërisht për komunat që janë pjesë e gjurmës së këtij korridori. Po ashtu, u diskutua për vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta dhe nisjen e iniciativave të reja që synojnë zhvillimin lokal dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ambasadori Meidani theksoi se bashkëpunimi institucional, vizioni i përbashkët dhe angazhimi konkret në terren mbeten elementë kyç për zhvillim të qëndrueshëm dhe për një rajon më të lidhur dhe më pranë Evropës.


