Ashtu siç kishim konstatuar më parë, se Gjykata e Apelit nuk është në shërbim të drejtësisë, këto ditë kjo gjykatë përsëri dëshmoi se vetëm drejtësisë nuk i shërben. Lirimi i Katica Janevës në burg shtëpiak është dëshmia më e mirë se sa është i instrumentalizuar sistemi i drejtësisë në vend dhe sa është i etur për reforma ai.
AlternAtivA, si parti që edhe vet ka qenë viktimë e këtij sistemi, e dënon vendimin e Apelit dhe konsideron se qëndrimi i Janevës në shtëpi në kohën kur shqiptarët kalben në burgje është pasqyra më e mirë e shtetit të padrejtë, në të cilin noton Maqedonia e Veriut.
Një gjykatë që dokumentet e falsifikuara të një falsifikuesi i shpall valide dhe një gjykatë që ish kryeprokuroren që akuzohet për një aferë marramendëse të korrupsionit e liron në burg shtëpiak, jo vetëm që duhet të ridefinohet, siç kemi thënë qëmoti, por ajo duhet të ribëhet nga e para.
Kur tashmë dihet se si gjatë viteve të kaluara janë vendosur prokurorët dhe gjykatësit dhe kush i ka vendosur ata, siç i kemi dëgjuar edhe në përgjimet e publikuara, nuk është e rastësishme dhe e habitshme që sot kemi vendime të këtilla.
Nisur nga kjo, AlternAtivA u bën thirrje të gjithë faktorëve relevantë politikë në vend, që ta rimendojnë qëndrimin e tyre kundrejt sistemit të drejtësisë dhe të mundësojnë reforma rrënjësore në këtë sferë, sepse pa vendosjen e shtetit të së drejtës le që nuk ka BE, por kjo është mënyra më e mirë për rrënimin e shtetit dhe krijimin e diktaturave.
Po ashtu AlternAtivA i bën thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar në vend që të ndihmojë në fuqizimin e sistemit të drejtësisë, aq më shumë që vitet e kaluara kanë dëshmuar mungesë vullneti për t’i realizuar këto reforma kaq të rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtij shteti.
Shkup, 21.11.2019 AlternAtivA – Shkup