24 Janar
Ekspertët hedhin dyshime mbi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Kumanovës për rikualifikim të veprës së të dyshuarit Boban Iliç nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”. Sipas tyre, Rregullorja e Prokurorisë Publike për organizim të brendshëm mundëson që një organ Themelor i akuzës të kërkojë mendim nga organi i instancës më të lartë, por jo në rastin konkret. Sipas juristit Bekim Kadriu, dyshimet ndaj prokurorit të lëndës rriten edhe më shumë nga fakti se i njëjtë vetëm pas dy viteve kërkon rikualifikim të veprës.
Pse i duhet Prokurorit themelor të kalojnë dy vite që të futet në dilema juridike dhe të kërkojë ndihmë nga instanca më të larta dhe të kërkojë për çfarë vepre bëhet fjalë. Pse prokurorja e rastit nuk mund të bëj vetë kualifikimin e një vepër, gjë që për një juristë nuk është e komplikuar. Nuk flas për peshën e veprës por për praktikën ligjore se si bëhet kualifikimi dhe rikualifikimi. Për një vepër të këtillë, nëse gjithmonë shkoni në instanca më të larta, atëherë neve duhet t’i shfuqizojmë Prokurorisë Themelore – shtron pyetjet juristi Bekim Kadriu.
Duke u bazuar në gjendjen faktike, ish gjykatësi Sejfulla Osmani vlerëson se në rastin konkret rikualifikimi nuk ka bazë nga që aksidentet e komunikacionit nuk janë vepra me paramendim.
Tek veprat penale që janë si pasojë e fatkeqësive të komunikacionit, nuk kemi paramendim dhe ky element është shumë i rëndësishëm. Të vërtetohet se në rastin konkret ka paramendim të veprimit të të akuzuarit apo nuk ka paramendim? Nëse kemi elementin e paramendimit, edhe teorikisht por edhe praktikisht edhe nga eksperienca dhe teoria ajo përjashton mundësinë e përgjegjësisë për fatkeqësi komunikacioni – thaSejfulla Osmani, ish-gjykatës .
Juristët vlerësojnë se në rastin e Almir Aliut, vetura me të cilën ai është goditur nga i dyshuari Boban Iliç, duhet të merret si provë, respektivisht armë më te cilën është kryer vrasja. Madje sipas tyre, aksidentet e komunikacionit janë vepra në të cilat nuk ka motiv. Referuar video incizimit, ekspertët vlerësojnë se i dyshuari ka pasur target ndaj personave të caktuar dhe se sipas tyre në këtë rast bie poshtë rikualifikimi i veprës në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”. Pas reagimeve nga opinioni, ditë më parë, Kryeprokurori Lubomir Joveski kërkoi që politika të mbaj duart larg nga Prokuroria Publike duke garantuar në të njëjtën kohë se në rastin e Almir Aliut, organi akuzës do të veprojë në mënyrë profesionale. Cështja e rikualifikimit të veprës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen” u aktualizua pas kolegjit të mbajtur në Prokurorinë e Lartë dhe më pas në atë Republikane. Në këtë të fundit, prokurorët u ndanë në baza etnike, ku 4 prokurorët shqiptar u mbi-votuan nga prokurorët maqedonas me 6 vota, përfshi edhe Kryeprokurorin Joveski pro rikualifikimit të veprës. Ngjarja tragjike pati ndodhur në qershor të vitit 2016 pas një zënke banale para urgjencës së qytetit në Kumanovë mes familjarëve të viktimës dhe të dyshuarit, i cili sipas dëshmitarëve, duke u larguar me veturën e tij, e ka goditur për vdekje katërvjeçarin, Almir Aliu. Seanca e radhës është caktuar për më 6 shkurt.
Adrian Kerimi

