12 trofe të fituar, 420 stola, 5 tituj kampioni të Serie A radhazi. Në 8 vite, të ndarë në dy cikle, Massimiliano Allegri shkroi një pjesë të historisë së Juventusit. Nuk ka dyshim për këtë, shifrat flasin vetë.
Mbi të gjitha flet vetë skuadra që po lë Max, një trashëgimi e pasur ekonomike dhe teknike për trajnerin që do të vijë, me shumë lojtarë të rinj që janë pjekur dhe imponuar nën drejtimin e tij.
Nga ato 9 tituj kampioni historikë radhazi, Allegri vuri nënshkrimin e tij në 5 kampionate, nga viti 2014 deri më 2019, madje duke iu afruar Ligës së Kampionëve në ato vite.
Max arriti dy herë në finalen e Champions-it, por duhej të dorëzohej fillimisht ndaj Barcelonës (2015) dhe më pas Real Madridit (2017). Po ta kishte fituar edhe këtë trofe, do të kishte qenë “qershia mbi tortën” plot suksese kombëtare.
Përveç 5 titujve kampionë të Serie A, Allegri mburret edhe me 2 Superkupa të Italisë dhe 5 Kupa të Italisë me Juventusin. Cikli i parë i Allegrit te Juve ishte sigurisht më i mirë se i dyti. 5 vite kundër 3, ose e thënë ndryshe 11 trofe kundër vetëm një, Kupës së Italisë së 15 majit.
Në sezonin 2021-2022, ish-trajneri i Milanit u rendit i katërti në Serie A dhe arriti në finalen e Kupës së Italisë e Superkupës, për t’i humbur të dyja ndeshjet kundër Interit. Në Champions League, megjithatë, nuk ishte në gjendje të shkonte përtej 1/8 finale.
Sezoni 2022-2023 ishte ndoshta më i komplikuari në të gjithë historinë e Juventusit. Penaliteti me heqje pikësh i zbriti bardhezinjtë në vendin e 7-të, të eliminuar gjithashtu nga dy kupat kombëtare në gjysmëfinale. Në sezonin e tij të fundit, megjithatë iu rikthye fitoreve, duke dërguar Kupën e Italisë në “Continassa” pas tri vitesh “agjërim”.