“Rritja e peshës trupore paraqet një problem serioz shëndetësor dhe ka një trend shqetësues në rritje në botë dhe në vendin tonë, i cili veçanërisht i prek fëmijët dhe adoleshentët. Të dhënat statistikore tregojnë se në shtetin tonë prevalenca e obezitetit është 30–35 për qind. Në këtë drejtim, është veçanërisht e rëndësishme funksionimi i qendrave për trajtimin e obezitetit në Klinikën e Endokrinologjisë dhe në SPQ “8 Shtatori”. Këtë javë në spitalin e Ohrit është hapur qendra e parë për menaxhimin e obezitetit në rajonin jugperëndimor. Bëhet fjalë për një sëmundje serioze kronike e lidhur me mbi 200 komorbiditete, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, diabetin e tipit 2 dhe gjendje të tjera dhe për këtë arsye është veçanërisht e rëndësishme përgjigjja multisektoriale dhe ngritja e vetëdijes publike për këtë sfidë globale”, theksoi ministri Azir Aliu në fjalimin e tij në simpoziumin profesional, në organizim të shoqatës shkencore për obezitet OBEM.
Në simpozium u theksua nevoja për ngritjen e vetëdijes publike dhe veprimin parandalues, si dhe rëndësia e bashkëpunimit multisektorial ndërmjet institucioneve dhe sektorit joqeveritar.
Ministria vazhdon me masa për mbështetje, përfshirë aktivitetet nga Programi për sigurimin e insulinës, glukagonit, gjilpërave të insulinës dhe shiritave për matjen e sheqerit, me fokus të veçantë në edukimin për trajtimin dhe kontrollin e diabetit, duke pasur parasysh se obeziteti është i lidhur ngushtë me diabetin e tipit 2.






