Vendimi i fundit i administratës shtetërore amerikane për të shpallur “non grata” zyrtarin e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetarin aktual të Komunës së Strugës, Ramiz Merko së bashku me familjen e tij, është një mesazh për figura të tjera politike që kanë keqpërdorur pozicione zyrtare dhe janë të përfshirë në afera korruptive, thonë njohës të zhvillimeve politike në vend për “Frontline”.
“Meqenëse korrupsioni në mesin e politikanëve në Maqedoni dhe në rajon është endemik dhe i përhapur kudo – çdo vendim i tillë krijon ankth dhe pritje tek kolegët zyrtarë. Pres që ky të jetë vetëm fillimi i një liste të gjatë të politikanëve aktualë dhe të dikurshëm, të cilët duhet të largohen nga skena politike, tha për Frontline Besim Nebiu, analist politik.
Kurse avokati Qenan Aliu thotë se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit që Ramiz Merkon, kryetar aktual i Strugës dhe anëtar i kryesisë qendrore të BDI-së, të shpallet non grata, duhet të jetë alarm për politikën në Maqedoninë e Veriut.
“Doktrina amerikane për luftimin e korrupsionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë filloi të jetë me veprime konkrete. Nga ky sanksion nuk do t’i shpëtojnë as zyrtarët e mëparshëm dhe as ato aktualë. Pra shteti zbatues i kësaj mase nuk është i detyruar të japë shpjegime të hollësishme për raste të veçanta, pavarësisht se ka një dosje të trashë. Por sipas standardit publikohet vetëm postulati i arsyes së vendimit, pra Merko dhe familjarët e tij dyshohen për korrupsion në përmasa galopante dhe shpërdorim fondesh, si dhe për ndikim në drejtësi, tha Aliu për “Frontline”.
Por ky vendim, thotë ai, e obligon prokurorinë e shtetit për krim të organizuar sipas aksiomës, një zë i arritur.
“Për rrjedhojë, në forma të ndryshme Merkos do t’i kërkohet të japë dorëheqjen nga posti aktual, ndërkohë që partia po distancohet. Deri në fund të vitit, të paktën gjashtë persona të këtij lloji do të përballen me sanksione të personave të tjerë nga etni të ndryshme dhe prejardhje të ndryshme partiake”, nënvizoi ai.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA kërkuan dorëheqjen e Merkos nga posti i kryetarit të Komunës së Strugës.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët – Arben Taravari tha se partia e tij respekton vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke shtuar se jo vetëm për Ramiz Merkon, por edhe nëse ka persona të tjerë të tillë pa dallim etnie apo partie.
Pas shpalljes non grata të kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka reaguar edhe ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të thërrasin këdo – pavarësisht pozicionit apo partisë politike – që minon sundimin e ligjit, duke kërcënuar progresin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në publikimin e ambasadores.
Paraprakisht, Departamenti i Shtetit e shpalli person të papranueshëm për hyrje në SHBA kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndë, thuhet në deklaratën me shkrim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.