Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u ka dërguar një letër udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Sipas BDI-së, letrat e dërguara nga Ahmeti adreson tri vendime të fundit: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore dhe formimin e një qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.
Ahmeti ka ngritur shqetësimin se këto zhvillime rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në një shtet shumetnik.
Ahmeti thekson se tri vendime e fundit përbëjnë kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi. Ai u bën thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë për veprim të përbashkët për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në mesin e udhëheqësve që Ahmeti u ka dërguar letër janë presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua shtatë vjet më parë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, të shtunën, tha se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm pjesa e gjyqësorit.
Çka është Ligji për përdorimin e gjuhëve?
Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20%.
Ligji përcakton që elementë zyrtarë, si monedha, pullat postare, uniformat e policisë dhe zjarrfikësve, të përfshijnë gjithashtu shkrime në gjuhën që flitet nga së paku 20% e popullatës, një masë që përkrah identitetin gjuhësor të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike në vend.
Kushtetuesja shfuqizoi Balancuesin
Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut po ashtu vendosi të shfuqizojë Balancuesin, një mekanizëm që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve etnike në administratën publike.
Ky mekanizëm ishte krijuar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 dhe siguronte që përqindja e punësimeve të përputhej me përbërjen etnike të popullsisë. Gjithashtu, shfuqizimi i Balancuesit ngre pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e dispozitave që kërkojnë mbajtjen e të dhënave mbi përkatësinë etnike gjatë punësimeve në institucionet shtetërore.
Sipas regjistrimit të popullsisë i vitit 2022, popullsia e Maqedonisë së Veriut numëron rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54.21% janë maqedonas dhe 29.52% shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla.
Në përgjigje të shfuqizimit të Balancuesit, koalicioni shqiptar VLEN, që është pjesë e Qeverisë maqedonase, ka njoftuar se është në proces të hartimit të një ligji të ri për përfaqësim etnik.
Por, përkundër këtij pohimi të koalicionit VLEN, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev ka deklaruar se “nuk është duke u përpiluar ligj për balancuesin ashtu siç pretendon koalicioni VLEN”.
“Ne edhe ashtu kishim marrëveshjes me VMRO-DPMNE përpara se të fillojë koalicioni se fillimisht duhet të merremi vesh për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe më pas, balancuesin”, ka thënë javë më parë, Arben Taravari, kryetar i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit VLEN. /REL/