Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti është i mendimit se nuk duhet të thirret Kuvendi pa pasur marrëveshje paraprake mes partive më të mëdha maqedonase dhe shqiptare. Ai në intervistën e tij për RTV21, tha se deri më tani nuk ka ndonjë sinjal se Kuvendi mund të thirret, por sipas tij, përpjekje po bëhen.
“Pa një marrëveshje të mirëfilltë mes palëve si përfaqësues të komuniteteve shumicë, LSDM-së, VMRO-së, BDI-së dhe partive tjera, ne nuk mund të bëjmë eksperimente dhe prova si në teatër, të shkojmë në parlament pa një marrëveshje paraprake. Dhe jo të shkojmë në parlament për të parë njëri tjetrin dhe për të shkëmbyer ca sharje dhe ofendime, por për të zhvilluar një seancë ku do të zgjidhet një komision për emërime, dhe të zgjidhet kryetari i Parlamentit”, tha Ali Ahmeti.
Ahmeti nuk sheh tendenca pro ruse tek VMRO DPMNE, por thotë se Rusisë nuk i konvenon që Maqedonia të jetë e anëtarësuar në NATO dhe BE. Ai tha se po të kish vërejtur anësim drejt politikave pro ruse, nuk do të ishte pjesë e qeverisjes.
Lidhur me mosdhënien e mandatit nga ana e Gjorgje Ivanovit, Ahmeti tha se vetëm VMRO DPMNE dhe askush tjetër mund të ndikojë që ai të reflektojë dhe ta zgjidh, siç e quajti ai, lëmshin politik të krijuar.
Ahmeti pranon se shteti i së drejtës nuk funksionon, dhe se reformat në drejtësi duhet të bëhen sa më shpejtë. Ai disa herë përsëriti se problemi është politik, dhe zgjidhja duhet të jetë politike, e jo të shndërrohet në problem etnik.