Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pasditën e së enjtes ka qëndruar në disa fshatra të komunës së Likovës, Sllupçan, Hotël e Likovë, ndërsa në mbrëmje në Mateç mori pjesë në tubimin promovues të kandidatit Erkan Arifi për kryetar të Likovës. Ahmeti në fjalimin e tij e vuri theksin te monumentet e ndërtuara për nder të UÇK-së, dhe u lavdëruar që monumenti i parë është bërë në zonën e Karadakut, për të cilin premtoi se do ta ngrisin sa më lartë që të shihet edhe në Preshevë. Ahmeti u kthye qindra vite pas në histori, duke thurrur disa vargje për Lidhjen e Prizrenit.
“Ky monument, nuk e di sa e vërejtët, qëndron mbi lidhjen e Prizrenit. Mbi Lidhjen e Prizrenit, janë librat e Rilindjes Kombëtare, që ne na e kanë mbajtë shpirtin gjallë. Dhe mbi ato libra ngritet lartë e më lartë shqiponja e pamposhtur”, deklaroi më tej Ahmeti. /SHENJA/

