Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi mbështetjen e palëkundur të partisë së tij ndaj aleatit strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai vlerësoi lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe angazhimin e SHBA-së për të përballuar regjimet autoritare dhe strukturat kriminale që kërcënojnë lirinë dhe sigurinë globale.
“Mbështetja jonë e palëkundur ndaj aleatit tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe mbetet zgjedhje e qartë dhe e drejtë.
Mbështes lidershipin e Presidentit Donald Trump dhe angazhimin e SHBA-së përballë regjimeve autoritare dhe strukturave kriminale që kërcënojnë lirinë, demokracinë dhe sigurinë globale. Qëndrimi i fortë ndaj narkoliderëve dhe krimit të organizuar është mbrojtje jo vetëm për Amerikën, por për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Popujt meritojnë të jetojnë të lirë, me institucione demokratike dhe sundim të ligjit, jo nën frikë dhe represion. Historia jonë na ka mësuar se kur Amerika udhëheq me vendosmëri, liria fiton.
Ne e kuptojmë më së miri peshën e vendimeve të guximshme amerikane, sepse edhe rrugëtimi ynë drejt lirisë është dëshmi e kësaj mbështetjeje. Partneriteti transatlantik është më i fortë kur bazohet në vlera të përbashkëta dhe qëndrim të bashkuar përballë tiranisë.
Kur Amerika qëndron e fortë, qëndrojmë të fortë së bashku.”, deklaroi Ahmeti.


