Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të për gjendjen e krijuar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku konkursi për punësim ka dështuar, ndërsa stafi shëndetësor ende nuk i ka marrë pagat që nga muaji janar.
Informacionet për ankesa të shumta lidhur me nepotizëm, ryshfet dhe korrupsion në procesin e punësimit janë alarm serioz dhe dëshmi e një sistemi të degraduar, ku punësimi i ndershëm dhe dinjiteti i profesionistëve po nëpërkëmben. Kur për një vend pune paraqiten ankesa që arrijnë deri në institucionet e antikorrupsionit, atëherë kemi të bëjmë me një krizë të rëndë besimi dhe me një dështim të plotë institucional.
Është e papranueshme që stafi shëndetësor, i cili mban mbi supe barrën e sistemit publik shëndetësor, të lihet pa paga dhe në pasiguri totale për shkak të dyshimeve serioze dhe bllokadave në procedura.
Mjekët, infermierët dhe personeli tjetër shëndetësor nuk guxojnë të jenë viktimë e pazareve, ndikimeve partiake dhe korrupsionit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që institucionet kompetente të hetojnë me urgjencë të gjitha pretendimet dhe ankesat e paraqitura; të ketë transparencë të plotë për procesin e konkursit; stafi shëndetësor të marrë menjëherë pagat e prapambetura; dhe çdo proces punësimi në shëndetësi të bazohet vetëm në meritë, profesionalizëm dhe ligj.
Tetova dhe qytetarët e saj meritojnë një sistem shëndetësor të pastër, funksional dhe të drejtë, jo një institucion të bllokuar nga dyshimet për korrupsion dhe keqmenaxhim.


