Aleanca për Shqiptarët përmes një reagimi theksojnë se shprehin shqetësimin e thellë për fenomenin e shndërruar në praktikë qeverisëse nga koalicioni VLEN – nepotizmin masiv dhe kapjen e institucioneve nga familjarët e funksionarëve të tyre politikë
Reagimi i plotë:
Në vend të një sistemi të bazuar në meritokraci, profesionalizëm dhe konkurrencë të ndershme, koalicioni VLEN ka instaluar një model ku institucionet publike funksionojnë si pronë private e klaneve familjare. Ky fenomen i përhapur i nepotizmit po minon besimin qytetar dhe po dëmton themelet e një administrate të drejtë.
Rastet janë të shumta dhe të dokumentuara:
Deputetja Merita Kollçi Koxhaxhiku ka punësuar djalin e saj në MNAV,
Kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi ka punësuar nipin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes,
Yllka Nuredini ka punësuar motrën e saj 18-vjeçare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ka emëruar babain drejtor në Qendrën për Kulturë në Dibër,
Arben Fetait punëson kushëririn në Drejtorinë e Doganave,
Albrim Hoxha ka punësuar bashkëshorten e tij në Ministrinë e Shëndetësis,
Fatmir Limani ka punësuar vajzën, vëllanë dhe dhëndrin në pozita drejtuese, përfshirë edhe në ESM,
Zëvendësministrja Safije Sadiku ka punësuar bashkëshortin e saj Besnik Shahini në MEPSO,
Xhevat Selami, i përfshirë si i dyshuar në tragjedinë e Koçanit, është pasuar nga nipi i tij Muhamed Aliu, i emëruar drejtor në Qendrën për Menaxhim me Kriza,
Validin Ademi ka punësuar gruan e tij në sektorin e arsimit në Komunën e Tetovës,
Azir Aliu ka punësuar dhëndrin e tij Dritan Dauti në kabinetin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë,
Izet Mexhiti ka emëruar familjarë të shumtë:
Muhamed Elmazi (kushëri) – drejtor në NomaGaz
Selajdin Beluli (dhëndër) – drejtor në Agjencinë për Punësim
Burim Latifi (djali i tezes) – drejtor në MEPSO
Familja Ismaili ka marrë disa funksione kyçe:
Afërdita Ismaili – drejtoreshë në Gjinekologjinë e Çairit
Meral Ismaili – drejtoreshë e Institutit të Mjekësisë së Punës në Çair
Erzen Elezi – drejtor në Spitalin e Tetovës
Merale Rexhepi – kryeshefe në Gjinekologjinë e Tetovës
Burri i Afërdita Ismailit – kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës.
Të gjitha këto raste dëshmojnë se për VLEN-in, shteti nuk është pasuri e qytetarëve, por pronë private e familjeve të tyre politike.
Ky është privatizim i shtetit. Ky është nepotizëm i pastër. Qytetarët e zakonshëm, profesionistët e ndershëm dhe të rinjtë me diploma mbeten pa shans, ndërsa institucionet kthehen në zyra të klaneve partiake e familjare. Institucionet tona po shndërrohen në struktura të dobëta, të mbushura me individë të emëruar jo për aftësi e profesionalizëm, por për lidhje familjare me pushtetarët. Kjo krijon demotivim tek profesionistët e ndershëm, të cilët përjashtohen nga çdo mundësi për karrierë meritore, dhe sjell humbje të thellë të besimit qytetar, pasi publiku sheh se shteti nuk u shërben të gjithëve, por vetëm të afërmve të privilegjuar të pushtetit.
Aleanca për Shqiptarët denoncon fuqishëm këtë model të qeverisjes dhe paralajmëron se nuk do të heshtet përballë kësaj padrejtësie. Ne do të mbrojmë qytetarët, meritokracinë dhe shtetin ligjor nga kapja e klaneve nepotike të VLEN-it.