Xhevdet Pozhari
Bashkimi Evropian i tha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: as që ju llogarisim të denjë për të nisur negociatat, anipse edhe nëse do të fillonin ato, veç një Zot e din sa do të zgjasnin, 10 vjet, 20 vjet, 50 vjet… 100 vjet. Për më tepër, Maqedonia bëri kompromiset më të dhembshme – ndryshoi edhe emrin, identitetin e saj, për dallim nga Edi Rama që veç u sorollat poshtë e përpjetë me brekushe e atlete për t’u dukur sa më evropian.
Ky duhet të shërbejë si mësim për Kosovën e cila nuk e ka as liberalizimin e vizave: asnjë kompromis i dhembshëm me Serbinë NUK GARANTON të ardhmen euroatlantike. Më parë mund të garantojë veç talljen e radhes si me Maqedoninë.
Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti i ka të gjitha argumentet që nuk mund t’ia hedhë poshtë askush: pa kërkuar falje Serbia – nuk ka dialog. Nëse dini të talleni ju me ne, dimë edhe ne të tallemi me ju! Nuk kemi çka humbasim… e aq më pak nuk kemi se çfarë të japim. Për këtë copë liri dhamë shumë. Duruam edhe përbuzjen ndaj viktimave duke e shpërblyer Serbinë me liberalizim të vizave derisa ajo udhëhiqet nga pinjollët e kasapëve.
S’mund të shkelim mbi vetveten.