Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti po ndodhet në Shkup.
Ai është mirëpritur nga zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.
“Sot prita në kufi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili do të jetë nesër në Takimin e lidershipit, BE-Ballkani Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes.
E mirëprita si mik, si vëlla, si udhëheqës të një shteti që na qëndron pranë në çdo kohë.
Kjo pritje ishte një shenjë respekti dhe vlerësimi për lidhjet që na bashkojnë, për qasjen e përbashkët që kemi ndaj sfidave të rajonit, dhe për besimin që ndajmë në të ardhmen tonë evropiane.
Biseduam shkurt, me sinqeritet dhe vullnet të përbashkët. Për mundësitë që kemi para vetes. Për bashkëpunimin. Për njerëzit tanë, për vendet tona, për rrugën tonë drejt Evropës. Dhe është mirë kur në këtë rrugë kemi pranë njëri-tjetrin.
Mirë se erdhe, Albin!”, ka shkruar Mexhiti
Ky takim vjen në prag të takimit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.