Në adresat elektronike të 15 shkollave në Shkup (13 shkolla të mesme dhe dy fillore) pasdite është dërguar kërcënim për mjet të vendosur shpërthyes, në një pjesë të objekteve tashmë janë kryer kontrollet dhe është konfirmuar se bëhet fjalë për alarme të rreme, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, raporton MIA.
“Menjëherë pas marrjes së alarmeve në SPB Shkup, nga nëpunësit policorë janë marrë masa për evakuimin e sigurt të objekteve dhe në vijim janë kontrolle antiterroriste dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve. Në një pjesë të objekteve janë kryer kontrollet dhe është konfirmuar se bëhet fjalë për alarme të rreme. Në pjesën tjetër kontrollet janë në vijim”, theksojnë nga MPB-ja.
Maqedonia e Veriut, ashtu sikur edhe shtetet e rajonit, në periudhën e kaluar është duke u përballur me kërcënime për vendosje të bombave nëpër objekte dhe vende publike. MPB pas çdo kërcënimi i ka evakuuar qytetarët, megjithatë ende nuk mund të bie në gjurmë të dërguesve të e-mailave, të cilat kanë krijuar kaos të vërtetë.
Portalb.mk shkruajti se ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka deklaruar se kjo është pjesë e të ashtuquajturës luftë hibride dhe sigurisht duhet të jetë për shkak të interesave gjeostrategjike të cilat praktikohen mu në këtë zonë, duke mos hedhur poshtë nëse sulmet e tilla janë me prapavija ruse. Ai madje ka njoftuar se në kuadër të MPB-së është themeluar një shtab special.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka bërë të ditur se tashmë kanë njoftuar strukturat e NATO-s për denoncimet e vazhdueshme për mjete shpërthyese në Maqedoninë e Veriut.
Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.
Nga 26 tetori i këtij viti në SPB Shkup disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, në fillim të javës ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.