Prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime të Policisë dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgut parashtroi Aktakuzë kundër tetë personave të punësuar në INP Burgu Shkup.
“Në bazë të dëshmive të grumbulluara i akuzuari i parë si drejtor i institucionit dhe dy nëpunës të policisë si bashkëveprues kryen vepër të vazhdueshme penale ‘Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit’ prej tyre një nëpunës i policisë ka kryer edhe vepër penale ‘Punë e pakujdesshme në shërbim’, për të cilën vepër akuzohen edhe pesë nëpunësit e tjerë të policisë”, njoftoi sot Prokuroria.
Të dyshuarit, siç bëhet e ditur në kumtesë, në periudhën prej marsit deri në korrik të vitit 2024, me paramendim kanë kryer veprime të lidhura, gjatë kryerjes së autorizimeve të tyre, me çka pesë personave të dënuar u kanë mundësuar lehtësira të cilat sipas vendimeve gjyqësore nuk u kanë takuar.
“Ata lejuan që personat e dënuar të dërgohen deri te shtëpitë e tyre dhe deri te lokacionet e tjera për nevoja private në kundërshtim me procedurën për nxjerrjen e personave të privuar nga liria jashtë institucionit”, thonë nga Prokuroria.
Prej aty theksojnë se procedura ishte hapur në shkurt të këtij viti kundër dhjetë personave prej të cilëve për dy persona është miratuar Zgjidhje për refuzim për shkak të mospasjes së dëshmive.