Kryetari i kuvendit, Ilir Meta në një konferencë për mediat mbrëmjen e sotme sqaroi përmes një sërë dokumentesh dhe shkresash zyrtare, konfliktin e nisur dje mes ambasadorit amerikan në vendin tonë.
Donald Lu dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla sa i përket prokurorëve të propozuar nga ky i fundit në këshillin e Emërimeve në Drejtësi, të cilët sipas ambasadorit ishin të paracaktuar nga kryeprokurori.
Meta ka bërë publike një sërë letërkëmbimesh zyrtare mes institucionit të kuvendit dhe Prokurorisë së Përgjithshme pas pretendimit të ngritur dje nga ambasadori amerikan për shkelje të kushtetutës.
Nga dokumentet, sipas kryeparlamentarit ka rezultuar se prokuroria e përgjithshme në çdo rast ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe kushtetutën sa i përket kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve të KED.
“Nisur nga deklarata e bëra dje nga ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu për prokurorin e përgjithshem, Adriatik Llalla lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë për anëtarë të këshillit të përkohshëm të emërimeve në drejtësi, sekretari i përgjithshëm i kuvendit, me kërkesën time ka kërkuar sqarime shtesë për vlerësimin e kryer nga prokuroria për plotësimin e kushteve nga këta kandidatë.
Në përgjigje të kërkesës, prokurori ka kthyer përgjigje zyrtare. Kushtetuta përcakton se KED përbëhet nga 9 anëtarë nga të cilët njëri zgjidhet nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, dy nga anëtarët pranë prokurorive të Apelit.
Sipas shkresës që mban datën 3.2. 2017 në prokurorinë e përgjithshme nuk ka pasur asnjë prokuror tjetër që të ketë përfunduar shkollën e Magjistraturës për të plotësuar këtë kusht ligjor te vendosur nga Kuvendi. Gjithashtu, në prokuroritë e apeleve nuk ka pasur asnjë prokuror që plotëson kriterin”, tha Meta.
3 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)