Të dhënat e platformës Pratenici.mk tregojnë dallime të mëdha në aktivitetin e deputetëve në Kuvend gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.
Sipas të dhënave, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, ka qenë më aktiv në diskutimet parlamentare, me gjithsej 21 diskutime. Pas tij renditet Sali Murati nga Lëvizja e Turqve me 18 diskutime, ndërsa Jovanka Trençevska nga LSDM, Amar Mecinoviq dhe Redzep Ismail kanë nga 12 diskutime.
Në mesin e deputetëve më aktivë janë edhe Halil Snopçe me 11 diskutime, Albana Pasholli dhe Talat Xhaferi me nga 10, Oliver Spasovski me 9, si dhe Elmi Aziri dhe Toni Jarevski me nga 8 diskutime.
Në anën tjetër, të dhënat nxjerrin në pah edhe deputetë me pjesëmarrje shumë të ulët në aktivitetet parlamentare.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, si dhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Valentina Marçevska, gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 nuk janë paraqitur asnjëherë për diskutim në Kuvend, nuk kanë propozuar ligj apo amendament dhe nuk kanë qenë anëtarë të ndonjë komisioni parlamentar.
Sipas të dhënave të Pratenici.mk, Ahmeti ka marrë pjesë në vetëm tre seanca, ndërsa Thaçi në katër seanca.
Në listën e deputetëve me pjesëmarrje të ulët janë edhe Sadulla Duraku, i cili ka marrë pjesë në 15 seanca, si dhe Skender Rexhepi dhe Valbona Adili-Emini, të cilët kanë marrë pjesë në nga 16 prej gjithsej 56 seancave.
Platforma tregon se 45 nga 120 deputetë nuk janë paraqitur fare për të diskutuar për ndonjë çështje gjatë periudhës janar–qershor 2025.
Po ashtu, 78 deputetë nga 120 nuk kanë parashtruar asnjë pyetje, ndërsa 36 deputetë nuk kanë marrë pjesë në propozimin e amendamenteve. Ndërkohë, 13 deputetë nuk kanë nënshkruar asnjë propozim-ligj.
Sipas të dhënave të platformës, deputetët më aktivë gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar kanë qenë Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, Sali Murati nga Lëvizja e Turqve, Jovanka Trençevska nga LSDM, Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE dhe Daniella Nikolova nga LSDM.
Të dhënat paraqesin një panoramë të aktivitetit parlamentar dhe tregojnë se pjesëmarrja dhe angazhimi i deputetëve ndryshojnë ndjeshëm, nga deputetë me dhjetëra diskutime deri te ata që nuk kanë marrë pjesë në asnjë diskutim gjatë periudhës së analizuar. (INA)



