Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, njëherit kryetarit të KDTP-së, dhe nipit të tij, për dyshimin se kanë kryer veprat penale “Sulm” dhe “Kanosje”.
Sipas aktakuzës, më 9 shkurt, rreth orës 17:20, ministri Damka ka përdorur forcë fizike ndaj të dëmtuarve A.M. dhe M.J. anëtarë të një partie turke në Prizren, për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me publikimin e informacionave për partinë “KDTP” dhe atë personalisht.
Gjatë një takimi në park, Damka e ka sulmuar të dëmtuarën A.M. duke e shtyrë, dhe më pas ka sulmuar M.J., duke e goditur dhe shkaktuar dhimbje fizike.
“I pandehuri i parë F.D.(1972), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme në mes tij dhe të dëmtuarit M.J., lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë “KDTP” dhe për kryetarin e partisë-të pandehurin F.D.(1972), derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku, më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me çrast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu, ai ka kanosur seriozisht dy të dëmtuarit me fjalë kërcënuese, se do ti privojë nga jeta, me ç’rast të dëmtuarve u shkakton frikë, ankth dhe pasiguri personale.
Ndërkaq, i pandehuri i dytë, F.D. (1992), ka përdorur forcën fizike ndaj M.J., duke e shtyrë dhe shkaktuar dhimbje fizike.
“I pandehuri i dytë F.D. (1992), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarit M.J., në atë mënyrë që për shkak të rrethanave të cekura si më lart, të njëjtin e sulmon duke e shtyer me duar nga gjoksi i të dëmtuarit, me çrast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së”, thuhet në aktkuz aktakuzë.
Ai gjithashtu ka kanosur M.J. me fjalë të rënda, duke e frikësuar dhe shkaktuar ankth.
“I pandehuri i dytë F.D. (1992), seriozisht e kanosë me fjalë të dëmtuarin M.J., se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që, pasi e sulmon të dëmtuarin, i drejtohet me fjalë kanosëse, me çrast tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”.
Prokurori ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të kryera.