Alsat 2020-04-23T16:11:12+02:00
Aksioni i policisë në të cilin u konfiskuan 1 ton e 240 kg marihuanë në një depo në Butel të Shkupit, është kryer në bashkëpunim me policinë e Italisë, mëson Alsat. MPB-ja njoftoi se në periudhën prej qershorit deri në tetor të vitit të kaluar, në afërsi të fshatit Sopot të Kavadarit, në 30 hektarë, një kompani e Shkupit ka mbjellë konop industrial pa leje nga komisioni përkatës. Më 2 tetor vitin e kaluar, pas direktivave të prokurorit nga Kavadari, policia morri mostër për ekspertizë të konopit. Pas më shumë se shtatë muaj e gjysmë, policia ka vërtetuar se kompania nuk ka mbjellë konop industrial, por marihuanë.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Më 22.04.2020 sërish janë dhënë direktiva nga prokurori publik i Prokurorisë publike në Kavadar që të sigurohet përfaqësuesi i personit juridik N.J (42) nga fshati Zhilçe, komuna e Jegunovcit, me qëllim të realizimit të bisedës informative zyrtare, ndërsa marihuana e magazinuar në një depo në Butel të konfiskohet dhe të bëhet ekspertizë plotësuese. Sërish më 22 dhe 23.04.2020 janë bërë dy ekspertiza plotësuese pas çka doli se materiali i marrë për ekspertizë është drogë marihuanë me majë, lule, fara dhe prezencë të materialit THC i cili është i ndaluar sipas ligjit për kontrollin e drogave”.
Nga MPB paralajmëruan padi penale kundër përfaqësuesit të firmës dhe vetë firmës për “prodhim të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të substancave psikotropike”. Padinë dhe 12 paleta me marihuanë policia do t’i dorëzojë në Prokurori në Kavadar. Megjithatë nga MPB nuk treguan ku dhe në cilin treg të zi është dashur të përfundojnë 1240 kg marihuanë, duke pas parasysh se në aksionin policor kanë qenë pjesë edhe autoritetet italiane.
Bojan Stojanovski
Loading…




