Alsat-M 2019-05-10T13:20:22+02:00
Policia mbrëmë ka zbatuar aksion për shuarjen e trafikimit me drogë në shumë lokacione të ndryshme në Shkup dhe qytete tjera në shtet, që është përgatitur në tre muajt e fundit. Janë gjetur drogë, para, armë dhe mjete tjera, tre persona janë arrestuar, njëri është në kërkim. Kundër tyre do të parashtrohen kallëzime penale.
“Dje nga ana e Byrosë për Siguri publike – Sektori për shuarjen e krimit të organizuar dhe atij serioz dhe Sektorin për polici kriminalistike, në bashkëpunim me Sektorin për operacione speciale policore pranë MPB-së, ndërsa në koordinim të ngushtë me PTHP për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion, zbatoi operacion policor me qëllim të shuarjes së grupit të organizuar kriminel në organizimin e furnizimit të drogës narkotike – kokainë dhe shpërndarjes së saj dhe shitjes së saj në shumë lokacione të ndryshme në shtet. Gjatë ditës (10.05) SSHKOS të MPB-së deri tek PTHP-ja për NKOK do të parashtrojë kallëzim penal kundër katër personave edhe atë: I.J. (41), B.J. (31) të dy nga lagjja Çento, N.M. (37) nga lagjja e Çairit dhe D.R. (19) nga fshati Haraçinë, ndërsa për ekzistimin e bazës për dyshim për vepër të bërë penale – “prodhimtari të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substanca psikotrope dhe prekusorë”, të ndëshkuar sipas nenit 215 paragrafi 3 nga KP i RMV”, kumtoi MPB-ja.
Prej atje informojnë se hetimi i vëllimshëm kriminalistik është zbatuar në tre muajt e fundit, ndërsa qëllimi ishte shuarja e grupit katër anëtarësh i organizuar nga Shkupi, i cili është identifikuar si grup i organizuar kriminel me përkushtim të definuar të rreptë hierarkik, i cili merret me furnizimin e sasisë më të madhe të kokainës, e cila ishte e paketuar, i përzier dhe i shitur tek shfrytëzuesit e rajonit të Qytetit të Shkupit.
“Për grupin kriminel është konfirmuar se gjatë veprimit të tij ka kryer veprime korruptuese për shkak të marrjes së të dhënave për masat të cilat i ndërmerr MPB-ja ndaj anëtarëve të OKG-së, si dhe për marrjen e informacioneve të dobishme për procedura konkrete gjyqësore të cilat zhvillohen kundër tyre. Përmes shitjes së kokainës, këta persona kanë fituar shuma të mëdha parash, të cilat i kanë investuar në blerjen e automjeteve luksoze, banesa dhe ndërtime të shtëpive”, theksohet në kumtesën e MPB-së.
Nga policia informojnë se është dokumentuar edhe se ky grup gjatë veprimit të tij ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj personave-shfrytëzues të kokainës, të cilët në kojë nuk kanë paguar për kokainën e furnizuar.
“Gjatë zbatimit të hulumtimit kriminalistik, janë siguruar një numër i madh i provave materiale dhe janë dokumentuar shumë shit-blerje të kokainës ndaj menaxherëve të kafeneneve, klubeve të natës dhe restoranteve, më pas avokatëve, drejtorëve, bankierët dhe të punësuarit në administratën publike, ku janë privuar nga liria 12 persona. Në kontekst të kësaj dhe në kuadër të hetimit, paraprakisht janë parashtruar dy kallëzime penale deri në PTHP Shkup dhe PTHP Kumanovë, kundër dy personave nga të cilët një person i punësuar në pozitë të lartë në Drejtorinë Doganore për vepër të bërë penale – “prodhimtari të paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorë””, të ndëshkuar sipas nenit 215, paragrafi 1 dhe “mundësim i përdorimit të drogave narkotike” sipas nenit 216 paragrafi 1 nga KP i RMV, thonë nga MPB-ja.
Gjatë realizimit janë përfshirë një numër adekuat i forcave policore nga shumë njësi policore, me ç’rast bastisje janë kryer në shumë lokacione të ndryshme në lagjen Çair dhe Çento dhe fshatin Grushinë, rajoni i Shkupit.
“Operacioni filloi në një moment kur lideri i grupit kriminel tentoi ta braktisë shtetin, ndërsa është privuar nga liria në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit “Shkupi” me sasi të madhe parash. Gjithashtu nga liria janë privuar edhe dy persona anëtarë të grupit, ndërsa njëri është në kërkim. Njëri prej anëtarëve të grupit është privuar nga liria gjatë natës gjatë tentimit për t’u arratisur nga privimi nga liria në shtëpinë e tij”, thonë nga MPB-ja.
Nga bastisjet e kryera janë gjetur dhe përkohësisht janë marrë: sasi e caktuar e kokainës, para (6.300 franga zvicerane, 150 dollarë amerikanë, 150 euro dhe 28.500 denarë) pesë automjete luksoze të markës (Jaguar, BMV, Audi A8, Shevrolet Kalos dhe Seat Altea) një pushkë e markës “karp valter”, dy pushka dhe 52 plumba me kalibër të ndryshëm, dy jelekë antiplumb, dy peshore të vogla digjitale, shumë telefona celularë, mbajtës për sim kartela, dy USB dhe dokumentacione për automjetin. Sasia dhe cilësia e kokainës së gjetur dhe të marrë do të konfirmohet në mënyrë shtesë me ekspertizë krim-teknike.
Në mënyrë shtesë, për armën e gjetur të zjarrit do të parashtrohen kallëzime penale edhe për veprën e bërë penale “Përpunim të paautorizuar, mbajtje, ndërmjetësim dhe trafikim me armë ose materiale spërkatëse” sipas nenit 396 nga KP i RMV, ndërsa MPB-ja do ta përhapë hetimin ndaj nëpunësve policorë për të cilët gjatë hetimit janë siguruar informacione dhe baza të dyshimit për lidhje me pjesëtarët e këtij grupit të organizuar kriminel, kumtoi MPB-ja.



