Stafi i AutoDoc Premium u doli në ndihmë qytetarëve të Shkupit pas reshjeve të dendura
Pas reshjeve të shumta që përfshinë Shkupin gjatë ditës së djeshme, në rrjetet sociale kanë qarkulluar disa video ku shihen persona duke ndihmuar qytetarët, veturat e të cilëve kishin mbetur të bllokuara në ujë si pasojë e vërshimeve të krijuara nga shiu.
Pas një verifikimi të bërë, mësohet se personat që u dolën në ndihmë qytetarëve ishin pjesëtarë të stafit të AutoDoc Premium. Në videot e publikuara shihet se ata, me një automjet Volkswagen Touareg të modifikuar dhe të përgatitur nga vetë ekipi i tyre për terrene të vështira, kanë arritur të tërheqin disa vetura të bllokuara në ujë dhe t’u ndihmojnë qytetarëve që ndodheshin në vështirësi.
Automjeti i përdorur nga AutoDoc Premium është përshtatur për lëvizje në kushte të rënda terreni, përfshirë edhe situata të krijuara nga reshjet intensive dhe përmbytjet urbane. Falë përgatitjes teknike dhe reagimit të shpejtë, ekipi ka arritur të intervenojë në vendngjarje dhe të ndihmojë në nxjerrjen e automjeteve nga zonat e mbuluara me ujë.
Pas disa tentimeve, arritëm të kontaktojmë edhe pronarin e AutoDoc Premium, Faton Saiti, i cili deklaroi se ai dhe stafi i tij janë gjithmonë të gatshëm t’u dalin në ndihmë qytetarëve në raste të tilla.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë qytetarët kur ata kanë nevojë. Kjo nuk është hera e parë që intervenojmë në situata të vështira, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sa herë që mundemi,” u shpreh Saiti.
Gjatë intervenimit në terren, ekipi i AutoDoc Premium mori falënderime edhe nga qytetarët e ndihmuar, si dhe nga persona zyrtarë të angazhuar në operacionet e shpëtimit.
Ky gjest human dhe profesional është mirëpritur nga opinioni, ndërsa videot e publikuara në rrjetet sociale kanë marrë komente të shumta pozitive nga qytetarët, të cilët kanë përgëzuar reagimin e shpejtë dhe solidaritetin e treguar nga stafi i AutoDoc Premium.


