Në një aksion të përbashkët mes Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorisë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PPThNKOK), sot, në orët e hershme të mëngjesit janë kryer bastisje në gjashtë lokalitete të territorit të Shkupit, transmeton TV21.
Në të njëjtën kohë, siç njoftojnë nga MPB-ja, aksion është realizuar edhe në Belgjikë dhe Holandë.
“Sipas pranimit të Kërkesës për ndihmë ndërkombëtare, nën udhëheqjen e gjykatësit hetues belg realizohet hetim për organizatë kriminale, e cila mes të tjerash merret edhe me prodhim të paautorizuar të kanabisit dhe drogave narkotike. Nga aktivitetet e gjykatësit hetues dhe Policisë Gjyqësore Federale, është konstatuar se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit të organizuar kriminal janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, kurse të tjerët janë nga Holanda, Bullgaria dhe Belgjika”, qëndron në njoftimin e MPB-së.
Secili anëtar i grupit kriminel ka pasur rolin e tij në organizatën kriminele. Të dyshuarit, siç sqarohet më tej, kanë qenë në relacionin Belgjikë – Holandë – Maqedoni e Veriut.
“Hetimi vërtetoi se të dyshuarit, një pjesë të parave të fituara me vepër penale, i sjellin në Maqedoninë e Veriut, kurse me një pjesë tjetër kanë blerë pasuri të patundshme në tregun belg”, qëndron më tej në njoftim.
Në aksionin ku morën pjesë numër i madh i policëve, kurse filloi në mënyrë të koordinuar në tre shtete në orën 5 të mëngjesit, kanë konfiskuar mjete parash, armë, municion, ari, automjete dhe dëshmi për transaksione të kryera me shuma të mëdha të hollash.
Janë arrestuar 2 persona, për të cilët Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptim të masës së paraburgimit dhe ngrirje të pasurisë.
Në Belgjikë janë arrestuar 11 persona të tjerë dhe është kryer bastisje në 20 lokalitete, kurse në Holandë janë bastisur 5 lokalitete dhe janë arrestuar 5 persona.