SPB Shkup ka dorëzuar kallëzim penal kundër katër personave lidhur me aksidentin rrugor që ndodhi dje në rrugën “Fronti Popullor” në Shkup rreth orës 11:30, ku një automjet Volkswagen Passat me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.S. (18) nga Shkupi, përplasi Lj.J. (79) nga Shkupi, e cila vdiq nga plagët e marra, ndërsa shoferi u largua nga vendi i ngjarjes, përcjell TV21. Policia njofton se dy persona janë arrestuar për rastin në fjalë, ndërsa shoferi 18 vjeç dhe babai i tij, janë arratisur.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ndërmori masa dhe aktivitete për gjetjen e shoferit dhe automjetit. Përmes kamerave të projektit “Qyteti i Sigurt” dhe kontrolleve shtesë të kamerave të objekteve përreth, si dhe deklaratave të dëshmitarëve, u konstatua se bëhej fjalë për automjetin Volkswagen Passat me targa të Shkupit, pronë e B.S. (45) nga Shkupi, dhe i drejtuar nga djali i tij S.S. (18). Automjeti u gjet para shtëpisë së pronarit, ku u kap dhe S.S. (69), i cili u mor në stacion policor dhe u intervistua zyrtarisht. U konstatua se shoferi S.S. (18) dhe babai i tij B.S. (45), me ndihmën e Sh.P. (45) dhe A.J. (53) nga Shkupi, kishin braktisur vendin gjatë ditës së djeshme. Sh.P. dhe A.J. janë arrestuar dhe kundër tyre është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për veprën penale “ndihmë ndaj kryerësit të një vepre penale” sipas nenit 365, paragrafi 2, në lidhje me nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal. Kundër shoferit S.S. (18) është ngritur kallëzim penal për “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik” sipas nenit 300, paragrafi 2, në lidhje me nenin 297, paragrafi 1 të Kodit Penal, si dhe për “mosdhënien e ndihmës për personin e lënduar në aksident rrugor” sipas nenit 301, paragrafi 2, në lidhje me nenin 300, paragrafi 2. Po ndërmerren masa për gjetjen e S.S. dhe B.S. Për të dy personat është shpallur urdhër-arrest, ndërsa janë gjetur automjeti Volkswagen Passat, me të cilin u godit gruaja, dhe automjeti Mercedes, me të cilin S.S. dhe B.S. braktisën vendin. Të dy automjetet janë sekuestruar në stacionin policor dhe prokurori është informuar për procedurat e mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.


