Aksidenti i mbrëmshëm që ndodhi në rrugën magjistrale në afërsi të fshatit Trapçin Doll të Kërçovës e ku humbën jetën 3 persona, i ka tronditur thellë banorët e kësaj ane.
Menjëherë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes dolën ekipet e intervenimit të shpejtë pranë Qendrës mjeksore të Kërçovës, të cilët konstatuan vdekjen e 3 udhëtarëve dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të 8 personave të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e përplasjes së 3 automjeteve, bën të ditur Drejtoresha e spitalit të Kërçovës Maja Cvetanoska.
“Tre persona nga pjesëmarrësit në aksident e kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipet e intervenimit të shpejtë, nga vendi i ngjarjes, në spitalin e Kërçovës kanë sjellë një grua të moshuar dhe 3 fëmijë, të cilët menjëherë janë dërguar në Qendrën klinike “Nëna Terezë” në Shkup”, u shpreh Drejtoresha e spitalit të Kërçovës Maja Cvetanoska.
Njëri nga fëmijët është në gjendje të rënduar shëndetësore ndërsa 2 udhëtarët tjerë janë në gjendje stabile. Nga vetura tjetër pjesëmarrëse në aksident, një person ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes ndërsa një udhëtar është sjellë në spitalin e Kërçovës në gjendje të rënduar dhe menjëherë është dërguar për në Qendrën Klinike të Shkupit.
Ndërkaq udhëtarët e makinës së tretë kanë kaluar vetëm me lëndime të lehta trupore”, tha drejtoresha e spitalit të Kërçovës Maja Cvetanoska.