Një aksident i rëndë trafiku i shoqëruar me zjarr ka ndodhur mbrëmë në hyrje të Shkupit, në pjesën pranë Hipodromit, në drejtim të kryeqytetit, duke shkaktuar bllokim të plotë të autostradës për disa orë.
Sipas informacioneve të para jozyrtare, në aksident janë përfshirë një veturë e tipit “BMW” dhe një kamion, ndërsa pas përplasjes ka shpërthyer zjarr, duke krijuar situatë alarmante në vendngjarje.
Dëshmitarë okularë kanë përshkruar skena dramatike, teksa në terren kanë ndërhyrë menjëherë ekipet e zjarrfikësve dhe autoambulanca. Deri në momentin e raportimit, nuk janë bërë të ditura informacione zyrtare lidhur me persona të lënduar apo me shkallën e dëmeve materiale.
Ndërkohë, shoferët kanë raportuar për kolona të gjata dhe vështirësi të mëdha në qarkullim edhe në pjesën pas pagesës rrugore në Milladinovci, pranë kthesës për Ilinden, ku dyshohet se ka ndodhur edhe një tjetër incident trafiku, duke e rënduar edhe më shumë situatën.
Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve për kujdes të shtuar, respektim të sinjalistikës rrugore dhe përdorim të rrugëve alternative deri në normalizimin e plotë të trafikut.


