Alsat 2019-06-17T14:34:19+02:00
Nëntë muaj pas marrjes në pyetje të ish kryetarit të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski për keqpërdorimin e sistemit AKMIS, akoma nuk ka hapa konkret për përgjegjësinë e tij penale. Rasti ka mbetur në fazën e hetimit. E pyetur se përse ndaj Pançevskit nuk ka masa ligjore, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska përgjigjet se nuk mund të priten çudira brenda natës.
Mos pritni çudia brenda natës. Asnjë procedurë hetimore dhe as gjyqësore nuk mbaron shpejtë. Megjithatë ajo duhet bëhet brenda afateve të tolerueshme dhe në përputhje me procedurat ligjore. Unë pres të ketë momente të reja”-tha Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.
Lidhur me përgjegjësinë e kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski për të cilin ka iniciativë në Këshillin Gjyqësorë i cili duhet të konstatoj nëse ka veprim të pandërgjegjshëm, Deskoska shton se anëtarët e këshillit do të mbajnë përgjegjësinë ligjore në rast se zvarrisin çështjen e Vangellovskit.
Këshilli Gjyqësor nuk ka arsye t’i shmanget zbatimit të ligjit, ndërsa tani nuk ka as të drejtë të mos i respektoj dispozitat duke e ditur se ekziston përgjegjësia edhe për Këshillin Gjyqësor”-pohoi Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.
Lidhur me keqpërdorimin e sistemit AKMIS, nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup potencojnë se keqpërdorimi tij ndikon drejtpërdrejt në pavarësinë e gjyqësorit.
Një garanci e rëndësishme për pavarësinë e gjyqësorit është procesi i ndarjeve të lëndëve nëpër gjykatës të ndryshëm. Ndarja e lëndëve duhet bëhet në mënyrë objektive, me kritere të parapara, pa manipulime dhe ndikime politike”-theksoi Dajana Palekin, zyrtare politike e Ambasadës së SHBA-ve.
Hetimin për keqpërdorime të mundshme të sistemit elektronik në gjykatat, të njohur si AKMIS, Prokuroria e filloi pasi që grupi punues nga Ministria e Drejtësisë konstatoi keqpërdorim të sistemit dhe ndarjen e lëndëve në dorë. Prokuroria përveçse prej gjykatësve, ka siguruar deklarata edhe nga nëpunësit në Gjykatën Themelore Shkupi 1, të cilët punojnë në qendrën kompjuterike. Dyshime se gjykatësi Pançevski përderisa ka qenë kryetar i Penales ka ndarë lëndë në dorë ka edhe Prokuroria Speciale. Nga PSP-ja dyshojnë se ai lëndët e tyre ua ka ndarë gjykatësve që i ka pasur të përshtatshëm.
Adrian Kerimi
Loading…



