Deklaratat e VLEN-it për “ndryshim”, “reformë” dhe “gjenerata të reja” shpërbëhen sapo sheh listën e personazheve që sot fshihen pas logos së tyre. Izet Mexhiti, Ramiz Merko, Saranda Imeri-Stafaj, Bashkim Hasani – dhe tani edhe Nevzat Bejta – përbëjnë paketën e plotë të klasës së vjetër politike, që ka prodhuar krizë, korrupsion dhe stagnim për më shumë se tre dekada, thanë nga AKI.
Mungonte vetëm Nevzat Bejta që të kompletohej “kabineti i riciklimeve”. Tashmë, edhe ai, pas humbjeve të njëpasnjëshme në Gostivar, rikthehet sërish në garë për herë të gjashtë, kësaj radhe me stemën e VLEN-it. Është e qartë: aty ku mungojnë idetë, ringjallen figurat e vjetra.
VLEN po shitet si projekt reformues, ndërsa realiteti është krejt tjetër: nën ambalazh të ri po kalojnë të njëjtët politikanë të konsumuar, të inkriminuar, disa prej të cilëve me barrë të rëndë në listat e zeza ndërkombëtare. Nuk ka reformë aty ku riciklimi bëhet standard dhe kontaminimi politik bëhet normë.
E vërteta është e thjeshtë: VLEN nuk është projekt i ndryshimit. Është projekt i Mickoskit, i dizajnuar për të sistemuar dhe ruajtur njerëz të dëgjueshëm, të kapur dhe të varur nga strukturat që kanë mbajtur të ngujuar shtetin për 30 vjet. Ky koalicion nuk përfaqëson të ardhmen, por rikthimin e së kaluarës, që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë lodhur ta shohin.
Si do që të jetë, përgëzojmë VLEN-in që më në fund e gjeti kandidatin që pranon të futet në garë dhe që për herë të gjashtë konkuron për kryetar komune.


