Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), akademiku Vllado Kambovski, në ndarjen e çmimit “Goce Dellçev” për vitin 2017 në hapësirat e ASHAM-it dënoi fuqishëm ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, ku mbetën të plagosur rreth 100 persona, përfshirë deputetë, punonjës të medias dhe pjesëtarë të policisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kambovski theksoi se ai incident i egër është turp që bie në shpinë të atyre që e organizuan, e nxitën dhe ndihmuan në kryerjen e saj. Ai shtoi se sulmuesit dhe nxitësit e këtij incidenti sulmuan Kuvendin e Maqedonisë së lirë, siç theksoi ai, “të shtetit me status të plotë të anëtarësimit në bashkësinë ndërkombëtare dhe me një vlerë që vetëm një numër i vogël i popujve në botë e kanë, një shtet me një shoqëri multietnike që përgatitet të bashkohet në integrimin euro-atlantik”.
“Ata që me këto vepra të këqija shkelin dinjitetin e çdo qytetari tonë, krenarinë kombëtare, paqen dhe shpresën për një të nesërme më të mirë, jam i bindur se do të gjykohen, në mënyrë të drejtë, në përputhje të rëndësisë së asaj që kanë menduar dhe vepruar ose nuk kanë arritur ta parandalojnë”, tha Kambovski.
Kambovski theksoi se përgjegjësit dhe organizatorët e këtij incidenti duhet të kenë kujdes me thirrjet e tyre ndaj popullit, ndërsa apeloi që populli të punojë në krijimin e miqësisë dhe tolerancës në këtë shoqëri multietnike, që të mposhten ndarjet politike apo etnike.

