Alsat 2020-06-10T12:22:58+02:00
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka shpalosur sot idenë e tij që ka të bëj me postin e kryeministrit të vendit, duke nënvizuar se tani është koha për kryeministër shqiptarë.
“Tani është koha për vazhdim të ëndrrës. Për ëndrra më të mëdha, sepse erdhi koha për të arritur edhe më shumë. Maqedonia e Veriut është vendi ynë. Vendi për të cilin kemi luftuar. Ne kemi një pjesë të barabartë në historinë, trashëgiminë, në ekonominë dhe në të ardhmen e vendit tonë. Tani është koha për barazi të plotë, për marrje të përgjegjësisë për të prirë! Është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, duke nënvizuar se për këtë, duhet të bëhemi bashkë!
Ahmeti me këtë raste theksoi se kjo ide është më e madhe se çdo parti.
“Kjo ide nuk ka të bëjë me BDI-në dhe sigurisht jo me mua. Unë jam këtu për t’ja vazhduar jetën procesit, që ti prij konceptit, që të bëhem urë dhe të shtroj rrugë duke krijuar rrethanat për realizimin e ëndrrës, ndërsa ju mbetet juve që ta zbatoni. Unë po mbjell, që ju të korrni. Unë po ëndërroj që ju të realizoni. Unë po guxoj që ju ta bëni”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se “Kur jemi bashkë, jemi shumë të fuqishëm”.



