Në një përpjekje për ta përvetësuar një figurë historike tejet të kontestuar në rajon, Ali Ahmeti ka zgjedhur të përkujtojë Goce Dellçevin, ndonëse ky i fundit vazhdon të jetë objekt debatesh të forta identitare mes maqedonasve dhe bullgarëve, të cilët e konsiderojnë si pjesë të trashëgimisë së tyre kombëtare.
Në një mesazh përkujtimor, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thekson se jeta dhe vepra e Dellçevit duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për klasën e sotme politike, në një kohë kur sfidat kërkojnë vizion, maturi dhe përgjegjësi historike, ndërsa ka publikuar një foto të hershme të Goce Dellçevit me plis në kokë.
Statusi i plotë i Ali Ahmetit:
Si sot më katër maj të vitit 1903 është shuar Goce Dellçevi, revolucionar i njohur, jeta dhe vepra e të cilit do të duhej të ishte mësim edhe për klasën e sotme politike: “Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve” – ishte deviza e tij.
Ndërkaq, biografi i tij më i mirë, Pejo Javorov, duke sjellë foton e mëposhtme të Goces, me plisin e bardhë, e jep këtë përshkrim:
“Plisi i bardhë arnaut me shall të zi, i mbështjellë përreth, e mbulonte jo aq shumë kokën. Palltoja e përhimtë prej shajaku, tyrqet e përhimta prej shajaku dhe çashiret me ngjyrë arre të përveshura deri në gjunjë në opingat e shtrënguara – i shquante format e drejta të një figure mesatare. Qepeja e përhimtë e mbyllur, e veshur vetëm në krahun e majtë, gjysmë e ngjeshur dhe e tërhequr deri në gjysmë në të djathtë, i jepte veçmas bukuri hyjnore gjithë shfaqjes së krenarisë. Me kamë, revolver dhe brezoren me fishekë në bel, me maliherin e hedhur mbi sup, Gocja i ngjante një perëndie kaçake”.
I përjetshëm kujtimi për Revolucionarin Goce Dellçev!



