Në vazhdën e organizimit të brendshëm partiak dhe konsolidimit të mëtejshëm të strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka emëruar sot katër kryetarë të rinj degësh, në kuadër të pakos së radhës së reformimit partiak.
Sipas njoftimit zyrtar, emërimet e reja janë bërë në Degën e Likovës që do të drejtohet nga Avni Saliji, Dega e Zhelinës nga Emir Sulejmani, Dega e Tearcës nga Bujar Jakupi, ndërsa kryetar i Degës në Saraj është emëruar Iljas Veseli.
Me këtë pako të re emërimesh, BDI vijon procesin e rrumbullakësimit të reformimit të brendshëm, me synim forcimin e organizimit partiak dhe rritjen e kapaciteteve funksionale në nivel lokal, thonë në BDI.
Nga partia e Ahmetit theksojnë se procesi reformues po zhvillohet me autorësi kolegjiale dhe përfshin kontributin e të gjithë anëtarëve dhe strukturave të partisë, duke u fokusuar në rritjen e përgjegjësisë, efikasitetit dhe performancës politike.
Reformat e ndërmarra, sipas partisë, kanë për qëllim shndërrimin e BDI-së në një subjekt gjithnjë e më konkurrues dhe më të përgatitur për sfidat politike në vend, me ritme të theksuara të organizimit dhe funksionimit të brendshëm.


