Propozimet e LSDM-së për përdorimin e gjuhës shqipe, nuk janë të pranueshme për Aleancën për Shqiptarët dhe BDI-në. Pas takimit të sotëm mes këtyre dy subjekteve, Zijadin Sela në emër të pjesëmarrësve tha se partitë shqiptare vetë do të përpilojnë Ligjin për Dygjuhësinë dhe nuk do të pranojnë propozime nga partitë maqedonase. Partitë sot u morën vesh edhe për formimin e një grupi të punës i cili do të përpilonte rregullore për funksionimin e takimeve të partive nënshkruese të platformës shqiptare. Ali Ahmeti nuk qëndroi pranë Selës për pyetje gazetarësh.
“Partitë nënshkruese të deklaratës së përbashkët obligohen që në afat prej tre ditësh, të emërojnë nga dy anëtarë komisioni që do të merren me krijimin e rregullores së tryezës së partive parlamentare shqiptare. Harmonizuam qëndrimet rreth propozim ligjit dhe këtu dua ta përsëris se tryeza e partive parlamentare shqiptare ka përgatitur ligj dhe nuk presim që ligjin të na e ofrojnë subjektet e tjera politike”, tha kryetari i LR PDSH-së, Ziadin Sela.
Sela tha se deshën apo nuk deshën, partitë maqedonase, Kushtetuta doemos duhet të ndryshohet në mënyrë që të zgjidhen çështje që tangojnë shqiptarët për shumë vjet, përfshirë këtu edhe zyrtarizimin e shqipes në tërë territorin e vendit. Sela komentoi edhe propozimin e Zaevit.
“Ligje të tipit që ndërrojnë një nen me tjetrin, nga i dyti e bëjnë të pesëmbëdhjetin ose nga i pesëmbëdhjeti e bëjnë të njëzetin, nuk është i kënaqshëm për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ne aspak nuk jemi të interesuar që t’i hedhim hi syve të opinionit duke u thënë se kemi sjellë dhe avancuar përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa në esencë është i njëjti ligj. Ne jemi për ndryshime kushtetuese. Subjektet politike maqedonase kanë momentin për t’u treguar mendjehapur në mënyrë që ta rregullojmë edhe këtë problematikë”, shtoi më tej Sela.
Pas këtyre qëndrimeve, nga partia e Zoran Zaevit nuk kanë komentuar. Qëndrimi i fundit i Zaevit ishte se e kanë marrë propozimin nga BDI-ja, por se ende atë po e shqyrton një grup i partisë. Por ajo që intrigoi ishte deklarata e Zaevit se do të pranojë gjithçka që është në kuadër të Kushteturës së Maqedonisë, ndërkohë që kërkesat e shqiptarëve domosdoshmërisht kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës. Duke marrë parasysh se për ndryshim të Kushtetutës nevojiten edhe votat e VMRO DPMNE-së, si duket kjo ide do të jetë edhe më e vështirë për Zaevin dhe partitë shqiptare. Ky është takimi i dytë i partive parlamentare shqiptare, pas atij që e thirri BDI, por ku nuk merr pjesë Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Powered by WPeMatico

