
Ali Ahmeti, Artan Grubi, dhe shumë zyrtarë të tjerë të cilët dëgjohen në bisedat e përgjuara të DSK-së që kanë të bëjnë me grupin e Kumanovës, nga java e ardhshme do të thirren si dëshmitarë në gjykatë. Këtë e konfirmon avokati i një numri të madh të akuzuarish në këtë proces gjyqësor, Naser Raufi. I pyetur konkretisht për emrat që do të propozohen për të dëshmuar në proces, Raufi tha se në seancën e radhës që u paracaktua për këtë të premte, të akuzuarit vetë do ti shpalosin emrat e atyre që kanë njohuri për ngjarjet dhe do ti thirrin për të dëshmuar.
Dëshmitarët do ti propozojmë pas deklaratave. Pasi të flasin të gjithë të akuzuarit, lista do të jetë e përbashkët e të gjithë avokatëve përveç këtyre dy avokatëve që tashmë praktikisht filluan me kundërshtimet e aktakuzës.
A gjendet Ali Ahmeti në listë?
Mendoj se po.
Artan Grubi?
Po.
Ejup Alimi?
Secili prej personave, nuk mund të them që këto kanë qenë në telefonatat e përgjuara, secili që ka marrë pjesë në telefonata të përgjuara sigurisht do të propozohet.
Sadulla Duraku?
Nuk mund tju them konkretisht por këto persona që i përmenda do të jenë sigurisht”, ka thënë avokati Naser Raufi në përgjigjen e gazetarit të TV SHENJA.
Sot dëshmuan shtatë dëshmitarët e parë të mbrojtjes, kryesisht persona që kanë ndonjë lidhshmëri familjare ose pune me të akuzuarit Besnik Ajdini, Musadik Pajaziti dhe Irfan Lutfiu. Secili dëshmitarë dëshmitarë tregoi për herën e fundit kur i kanë takuar të akuzuarit dhe nëse kanë vërejtur diçka të pazakontë rreth sjelljes së tyre.
“Këto dëshmi ishin shumë të qarta, si kristali. Se të akuzuarit në fjalë nuk kanë të bëjnë asgjë me akuzat, me rastin e Kumanovës dhe grupin. As nuk kanë qenë prezent as nuk kanë qenë të involvuar, asgjë. Kjo shihet qartë prej dëshmive të këtyre dëshmitarëve”, ka thënë Raufi.
Dëshmitarët e thirrur nga avokati i Besnik Ajdinit – Agron Ajdini, Musabit Sulejmani, Ridvan Imeri, Qerim Zeqiri, thanë se nuk kanë vërejtur asgjë të pazakontë tek Besniku, dhe se ai është i pafajashëm. Punëdhënësi i Besnik Ajdinit Ridvan Imeri, tha se ai asnjëherë nuk ka kërkuar pushim dhe asnjëherë nuk është sillur çudishtëm, dhe se ditën e luftimeve i është lajmëruar dhe ka dëgjuar britmat e fëmijëve të tij teksa ata ishin ngujuar në shtëpi për tu mbrojtur nga të shtënat. Imeri tha se ai mund të dëshmojë me fotografi ku saktë shënon data dhe ora, se të enjtjen ai ka punuar në Shkup bashkë me të, ndërsa të premten gjithmonë e kanë pasur ditë të lirë. Të shtunën në mëngjes ka kuptuar se punëtori i tij është bllokuar në shtëpinë e tij në Lagjen e Trimave.
Dëshmitari i Irfan Luftiut, Momçillo Cvetkovski i cili është fqinji i parë dhe myshteri i berberit Lutfiu, tha se një natë para luftimeve, djali i tij vonë ka qenë për qethje tek Lutfiu, dhe aty kishte parë një grumbull njerëzish që prisnin radhë për qethje, dhe të nesërmen kur ka dëgjuar se ai është arrestuar nuk ka mundur ta besojë për shkak se e kanë parë që ka qenë në dyqanin e tij deri vonë.
Dëshmitari i Musadik Pajazitit, Izmit Saiti, i punësuar në komunën e Likovës, tha se kolegu i tij i punës në biseda me të, ka dhënë vlerësim negativ për grupin e Kumanovës dhe nuk i ka përkrahur në kauzën e tyre pasi që siç tha dëshmitari, ai nuk dëshironte që popullata edhe ashtu e varfër, të futet në probleme të tilla. Saiti tha se pasi që ka ndodhur rasti i Gushincës, në Likovë kishin dalë fshatarë vullnetarë që kanë bërë roje rreth fshatit për të penguar ndonjë sulm ose luftim eventual.
Dëshmitari i policit Arsim Bajrami, ish eprori i tij Igor Mitevski, tha se ai e ka parë Arsimin me makinë ditën e luftimeve në fshatin Reçicë të Kumanovës dhe i ka treguar se ai është në pushim mjekësor, por SPB Kumanovë e ka thirrur urgjentisht në punë për ku ishte drejtuar.
Në seancën e ardhshme do të dëshmojnë vetë të akuzuarit dhe do të emërojnë zyrtarë të cilët duhet të jenë dëshmitarë dhe me gjasë lista e dëshmitarëve do të shkojë deri në 50.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Ahmeti dhe Grubi dëshmitarë për rastin e Kumanovës by tvshenjaofficial

