
Asnjë hap drejt formimit të Qeverisë së re ose të paktën sigurimit të shumicës së nevojshme për marrjen e mandatit nga presidenti Ivanov. Të paktën zyrtarisht partitë nuk japin asnjë informatë nëse gjatë fundjavës ose gjatës ditës së sotme kanë zhvilluar takime dhe nëse ka ndonjë përparim nga bisedimet e fundit. Por diplomatët ndërkombëtarë kanë shtuar thirrjet për formimin sa më të shpejtë të një Qeverie stabile. Me qëndrim të këtillë kanë dalë edhe nga BDI, gjegjësisht krahu i cili kundërshton koalicion me VMRO-DPMNE-në, ndërsa ishin pjesë e negociatave me LSDM-në. Maqedonisë i nevojitet sa më shpejtë formimi i Qeverisë, ka porositur ambasadori francez, Kristijan Timonie, pas takimit që ka realizuar me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe nënkryetarin e BDI-së, Nevzat Bejta. Në takimin ku është biseduar për situatën politike në vend dhe procesin integrues, Timonie ka përsëritur mbështetjen e Francës për Maqedoninë në të gjitha proceset demokratike.
“Shteti nuk është në gjendje krize, por ne si ambasadë megjithatë kemi qëndrim se nuk duhet të humbet kohë me formimin e Qeverisë. Dëshirojmë që vendi juaj të jetë stabil dhe të përparojë në drejtim të instalimit të vlerave demokratike dhe se do të bëhet shtet i qytetarëve. E rëndësishme është që të sundojë paqa dhe të mos ketë konfrontime, sepse në të ardhmen të gjithë do të humbnin”, ka thënë Kristijan Timonie, ambasador i Francës.
Edhe numri dy i BDI-së, Nevzat Bejta, ka vlerësuar se Maqedonisë i duhet sa më shpejtë një Qeveri stabile e cila sipas tij do të jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve të vendit.
“Qytetarët presin që sa më shpejtë vendi të del nga kriza dhe të formohet Qeveri e cila do të jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve. Me pranimin e një qeverie të tillë, në vendin tonë do të forcohet demokracia, liria, barazia dhe drejtësia mes të gjithë qytetarëve pa marë parasyshë se cilës bashkësi i përkasin”, deklaroi Nevzat Bejta, nënkryetarë i BDI-së.
Por mendim të njëjtë nuk ndan edhe kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti i cili poashtu ka takuar sot ambasadorin francez. Ahmeti siç thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i tij vlerëson se nuk ka nevojë të nguten. Vendimi i BDI-së, sipas kreut të kësaj partie duhet të prodhojë siguri, stabilitet, qëndrueshmëri si dhe të jetë në partneritet me komunitetin ndërkombëtar.
“Kryetari Ahmeti njoftoi Ambasadorin e Francës që BDI nuk ngutet, por dëshiron që të sigurohet për realizim të pritjeve të qytetarëve, bashkë me rishqyrtimin dhe zbardhjen e rasteve të kontestuara si Monstra, Sopoti, Kumanova, apo edhe vet përgjimet”, thuhet në komunikatën e BDI-së drejtuar mediave. Për këto, vijon më tej komunikata, në BDI ka debat shumë të hapur, të argumentuar dhe konstruktiv, përfshirë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademike”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga BDI.
Ndryshe BDI dhënien e nënshkrimeve të deputetëve për kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, e ka kushtëzuar me deklaratë të shkruar nga kjo parti ku do të siguronin se pranojnë platformën e përbashkët të partive shqiptare.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Ahmeti: BDI nuk ngutet për Qeverinë e re by tvshenjaofficial

