Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka deklaruar se mbajtja e samitit të Bërdo-Brionit në Durrës të Shqipërisë përçon një mesazh të qartë për rrugëtimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Ahmetaj ka theksuar se, përveç Shqipërisë dhe Malit të Zi, shtetet e tjera të rajonit nuk po punojnë në mënyrë serioze për procesin e anëtarësimit në BE, raporton KlanKosova.tv.
“Zbritja e Bërdo-Brionit në Durrës përçon mesazhin se perspektiva e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Por, mbi të gjitha, është shumë e rëndësishme që në këto nisma multilaterale të diskutohet pa protokoll për çështjet e hapura mes shteteve, mes liderëve, dhe të gjenden forma për t’i tejkaluar ato. Çështja është se si do të dinë shtetet ta shfrytëzojnë dhe ta materializojnë një takim të tillë.”
Ajo ka shtuar se aktualisht nuk vërehet ndonjë përkushtim real i vendeve të rajonit për integrime evropiane, duke e lidhur këtë me situatën e brendshme politike në secilin shtet.
“Duhet të them dhe të konstatoj se një gjë e tillë nuk duket në horizont. Po flas për situatën gjeopolitike në të cilën ndodhemi, si Bashkim Evropian dhe si shtete ballkanike. Shihet qartë se secili shtet është kthyer kah vetja, apo është i preokupuar me problemet e brendshme, dhe shumë pak, ose aspak, janë të përkushtuara ndaj integrimit evropian. Dallim bëjnë Shqipëria dhe Mali i Zi, pasi e kanë një rrugë të trasuar. Ndërsa për shtetet tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, pak ose aspak duket në horizont ndonjë perspektivë e qartë se kur do të anëtarësohen,” u shpreh Ahmetaj.