Fondacioni ALSAR e ka kthyer në traditë nisjen e shpërndarjes së ndihmave ushqimore në prag të Ramazanit, që vazhdon më tej gjatë gjithë këtij muaji të bekuar me një intensitet shumë më të lartë.
Punonjësit e fondacionit e shkelin anë më anë vendin për t’u gjendur pranë nevojtarëve, për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’i lumturuar sadopak nëpërmjet solidaritetit human.
I tërë ky aktivitet humanitar mbështetet nga organizatat partnere, bashkëpunëtore dhe kontribuese për vite më radhë.
Kështu, IHH-ja me qendër në Holandë dërgoi kontingjentin e parë të ndihmave ushqimore, të shpërndarë sot, më 26 mars.
Shpërndarja u bë në një zonë të varfër, në Klos dhe në rrethinat e tij, në fshatrat përreth. Për familje në nevojë, të shumta në këtë njësi administrative, u dhanë 150 pako ushqimore.
Kjo sasi është vetëm një pjesë e 500 pakove me ushqime që IHH-ja ka planifikuar të shpërndajë si ndihmë përgjatë Ramazanit në bashkëpunim dhe bashkërendim me ALSAR-in.