Me aq sa ne e dimë, nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë më 1 gusht 2017 nënkuptonte përmbushjen e disa detyrimeve, që ndërkohë nuk janë realizuar dhe kjo ka bërë që Bullgaria ta pengojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimit Europian. Unë mendoj se vendimi i këtillë i Bullgarisë, sado që mund të ketë argumente, nuk ka qenë i qëlluar, sepse kjo e ka armiqësuar Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë dhe ia ka hapur derën Serbisë, që ajo ashtu ta vazhdon ndikimin e saj në vendin tonë,ndërsa bllokimi i integrimit prek thellë edhe në shpresën shumëvjeçare të qytetarëve të vendit tonë për integrim.
Afrim Gashi është kryetar i partisë politike shqiptare Alternativa, e cila në Maqedoninë e Veriut është parti parlamentare me 4 deputetë, ndërsa aktualisht është në opozitë si pjesë e koalicionit me Aleancën për Shqiptarët.
Me të biseduam për zhvillimet më të fundit politike në Maqedoninë e Veriut, relacionet me Bullgarinë, pikëpamjet e tij për kontestin e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, për marrëdhëniet bullgaro-shqiptare, por edhe për tema të tjera me interes.
I nderuari z. Gashi, na thoni cila është gjendja aktuale politike në Maqedoninë e Veriut. Këto ditë kishte protesta në Shkup, ndodhi rasti i arrestimit dhe gjykimit të ish shefit të DSK-së, SashoMijallkov, ndërsa dëgjojmë lajme se po dobësohet edhe shumica parlamentare në Kuvend. A po përfundon këtu diku storja e sukseseve të ZoranZaevit apo janë thjesht përpjekje të pashpresa të opozitës për ta marrë pushtetin në tavolinë?
Shihni, është e vërtetë se ditëve të fundit kemi pasur zhvillime dinamike dhe ato nuk besoj se kanë përfunduar. Pas shpalljes së vendimit për gjykimin e të burgosurve të rastit “Monstra”, tre nga të cilët u dënuan me burg të përjetshëm, ashtu siç pritej, familjarët e tyre organizuan protesta në Shkup, që për fat të keq, shënuan edhe incidente. Ky është një rast që zgjat nga viti 2012 e këndej dhe është, si të thuash, pika në të cilat thyhet dhe matet sistemi i drejtësisë në vendin tonë. Para ca ditësh e thashë në një konferencë për media, ndërsa këtu po e përsëris se ky rast flet për humbjen e plotë të kredibilitetit ndaj gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut. Më 2012 ish ministrja e atëhershme e Punëve të Brendshme, Jankullovska, thoshte se “kemi kapur terroristë islamikë”, ndërsa po për këta njerëz më 2015 ZoranZaevi thoshte “janë të pafajshëm”. Duke u gjendur mes këtyre dy deklaratave të kundërta, është e natyrshme që askush të mos i besojë më vendimit të gjykatës. Përveç politizimit, këtë proces e ka shënuar edhe mungesa e transparencës, si dhe humbja e besimit në të gjitha institucionet e drejtësisë. Prandaj, në këso rrethana, është e pritshme të ketë protesta dhe ato të eskalojnë. Koincidencë ose e planifikuar, këto ditë u zhvillua edhe teatri i “ikjes”, “zbulimit” dhe, gjoja, “gjykimit” të ish shefit të DSK-së, SashoMijallkov, dhe ish ministres Jankullovska. Derisa ndodhin këto zhvillime jo të vogla, në anën tjetër shumica parlamentare, edhe ashtu e brishtë – vetëm me 62 deputetë,çdo ditë luhatet dhe jepen informacione se do të bie nën 60-të, kjo në favor të opozitës.
Sidoqoftë, gjendja nëpër të cilën po kalon sot Maqedonia e Veriut erdhi si pasojë e disa faktorëve, siç janë pandemia, zgjedhjet e parakohshme parlamentare, korrupsioni i lartë, bllokimi i integrimeve, narkotizimi i shtetit dhe ekonomia që është në rënie të lirë. Siç e dini, ne jemi ndër vendet pakta në rajon që jemi gati të fundit në Europë për numrin e vdekjeve dhe të fundit në listë për vaksina – pos atyre me të cilat Vuçiqi u tall me shtetin tonë, gjithçka tjetër është në rrafshin e premtimeve pa asgjë konkrete. Ndërkaq,kur flasim për zgjedhjet e parakohshme, ato përfunduan me manipulime të mëdha. Në mbrëmjen e shpalljes së rezultateve ra sistemi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe në mëngjes doli ky rezultat që është, duke prodhuar një shumicë, që vetëm emrin e ka të tillë. Opinioni te ne e di se ne – si opozitë shqiptare – nuk e kemi pranuar atë rezultat dhe përkundër asaj se bëmë më shumë se 70-të ankesa, të gjitha u refuzuan. Kjo e ka polarizuar shoqërinë dhe e ka bllokuar shtetin, ngase opozita, qoftë ajo maqedonase ose shqiptare, nuk ka ndonjë vullnet për ta ndihmuar këtë shumicë që ka dalë nga zgjedhje të manipuluara. Aq më shumë që kundërshtari ynë politik, BDI, i mori zgjedhjet me premtimin “Kryeministri i parë shqiptar”, ndërsa pastaj e pranoi ZoranZaevin për kryeministër. Kur kësaj ia shtojmë problemin me Bullgarinë, që e ka bllokuar integrimin, shkallën e lartë të korrupsionit, që e ka radhitur Maqedoninë e Veriut me vendet më të korruptuara në botë, si dhe lajmet e përditshme të aferave me narkotikë, është bërë e qartë se te ne është rrënuar stabiliteti dhe shpëtimi është ose në një shumicë të re parlamentare, me një qeveri të re, ose në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Tjetër zgjidhje nuk ka.
- Gashi, mes problemeve që i radhitët, ju e përmendët edhe problemin që e ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë. Ku mendoni ju se qëndron problemi dhe cili është qëndrimi juaj për zgjidhjen e këtij kontesti?
Në fillim më duhet të them se problemi themelor është se kjo qeveri e ka mbajtur këtë temë jashtë veshëve dhe syve të opinionit dhe kjo mungesë e transparencës ka prodhuar një amulli,ku ne nuk i kemi të gjitha informacionet. Sidoqoftë, me aq sa ne e dimë, nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë më 1 gusht 2017 nënkuptonte përmbushjen e disa detyrimeve, që ndërkohë nuk janë realizuar dhe kjo ka bërë që Bullgaria ta pengojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimit Europian. Unë mendoj se vendimi i këtillë i Bullgarisë, sado që mund të ketë argumente, nuk ka qenë i qëlluar, sepse kjo e ka armiqësuar Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë dhe ia ka hapur derën Serbisë, që ajo ashtu ta vazhdon ndikimin e saj në vendin tonë, ndërsa bllokimi i integrimit prek thellë edhe në shpresën shumëvjeçare të qytetarëve të vendit tonë për integrim. Më shumë do të parapëlqeja që të vendosej ndonjë klauzolë se “pa mbyllje të këtij kontesti nuk mund të ketë integrim të plotë”sesatë ketë bllokim.Por, fundja ky është qëndrimi i shtetit bullgar. Megjithatë, ajo që mua si politikan dhe si shqiptar më shqetëson më shumë është se ky kontest e ka dëmtuar edhe një prirje tonë të vazhdueshme dhe, madje, përcaktim programor të Alternativës, për zhvillimin e boshtit horizontal të aleatëve ballkanikë përkundër vijës vertikale, që edhe ashtu është shumë aktive. Ky kontest i ka dhënë ushqim të mjaftueshëm Serbisë, andaj sot në vend që të vinin bullgarët – si vend fqinj dhe anëtar i BE-së – dhe të na jepnin vaksina dhe asistencë tjetër në procesin e integrimit, në Tabanoc e keni AleksandarVuçiqin, që vjen si shpëtimtar i Maqedonisë së Veriut,i cili aty pritet nga gjithë kabineti qeveritar,që vetvetiu flet për aleancën që po ndërtohet. Kjo gjë sigurisht e rrënon kohezionin ndëretnik, sepse nëse Zaevi dhe shqiptarët e pushtetit të tij i kanë sytë kah Beogradi, ky është problem i madh, ngase shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut mes BE-së dhe Serbisë, sigurisht do ta zgjedhin BE-në.Këtu më duhet të theksoj se e ne dimë mirëfilli se kjo qeveri nuk ka shfaqur asnjë interes për zhvillimin e Korridorit 8, ndërsa e ka shtyrë Korridorin 10. Kjo për shqiptarët është lajmshumë i keq, sepse në vend se të lidhemi me Shqipërinë dhe ta lidhim Adriatikun me Detin e Zi, kjo qeveri po e forcon boshtin Athinë-Beograd, që sigurisht nuk është në interesat strategjiketë shtetit dhe të shqiptarëve. Ndërkaq Maqedonia e Veriut duhet ta dijë se me këtë politikë nuk fiton asgjë, pormund t’i humb edhe ata shqiptarë që sot janë garancia për stabilitetin e saj.
Unë kam mirëkuptim të plotë dhe empati për kombin maqedonas, sepse ky kontest i prek ata, andaj jemi të kujdesshëm në deklarimet tona, por nuk mund të lejojmë që faturën e këtij problemi identitarta paguajmë me aleancë serbo-maqedonase. Aq më shumë që shqiptarët, si komb në Ballkan, nuk kanë asnjë çështje të hapur me Bullgarinë, ndërsa e kanë një konflikt të ngrirë me Serbinë.
Ndërkaq, sa i takon zgjidhjes së këtij problemi, mendoj se ajo duhet kërkuar në kuadër të institucioneve të Bashkimit Europian. Procesi i bisedimeve për aderim në BE është një periudhë së paku dhjetëvjeçare, në mos më shumë, ashtu që ky problem duhet diskutuar dhe zgjidhur në ecje e sipër, derisa paralelisht zhvillohen edhe bisedimet për integrim në BE.
Dhe, derisa flasim për integrim, në nëntor të vitit 2019 u hodh ideja për krijimi e një zone të re të Ballkanit Perëndimor, të a.q. “minishengeni ballkanik”, që fillimisht u përqafua nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa tërthorazi u mbështet edhe nga Mali i ZI dhe Bosnjë-Hercegovina. Cili është mendimi juaj për këtë?
Unë nuk jam për substituim të BE-së. E kuptoj se Bashkimi Europian ka ndryshuar shumë, ka probleme të kohezionit dhe vendimmarrjes së brendshme, por lënia e këtij rajoni jashtë BE-së, përveç që shpërfaq një qasje orientalizuese ose, siç do të thoshte MariaTodorova, stereotipin e Ballkanit si Orient i Europës, shpreh edhe pafuqinë e BE-së për ta integruar gjithë kontinentit në Union. Unë jam i bindur se çdo variant tjetër, që ofrohet si zëvendësim për BE-në, i mban gjallë konfliktet dhe tensionet ndërmjet kombeve dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Madje, përveç kësaj, unë gjykoj se integrimi në BE duhet të jetë i menjëhershëm i gjithë rajonit, sepse vetëm ashtu ka gjasa të shuhen tensionet serbo-shqiptare, por edhe tensionet e tjera. Nëse ndodhë që Serbia të hyjë në BE para Shqipërisë, Bosnjës, Mali të ZI dhe Kosovës, këto të fundit duhet ta harrojnë integrimin më. Prandaj,vetëm integrimi i shpejtë dhe i plotë i krejt Ballkanit Perëndimor në BE mund të jetë shpëtim për rajonin. Në të kundërtën, prof. MarijaTodorova do ta shkruajë edhe një libër tjetër për Ballkanin imagjinar, ndërsa AdelaPeevamund ta bëjë edhe një dokumentar për ta gjetur se e kujt është ajo këngë.
Pas fitores së Albin Kurtit në Kosovë, është rikthyer përsëri tema e bashkimit kombëtar të Shqipërisë me Kosovën. Çfarë mendimi keni ju? A është kjo ide arkaike apo është korrigjim i një padrejtësie historike? Ku do të bashkohen shqiptarët, në Bruksel apo në Tiranë? Rrjedhimisht, çfarë do të bënin në atë rast shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut?
Vendimin për unionin e mundshëm Shqipëri-Kosovë nuk mund ta paragjykoj, sepse ai është vendim i dy shteteve, dhe këta dy shtete vetvetiu duhet të vendosin kur dhe si mund të marrin vendim, duke e pasur parasysh kontestin regjional dhe trazirat politike të cilat nuk po përfundojnë në Ballkanin tonë.
Sa u takon shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mendoj se kjo temë nuk na përfshin neve. Trazimet e tilla kanë pasoja të paparashikueshme dhe unë nuk ta imagjinoj një kërkesë të tillë. Prandaj edhe jam partizan i flaktë i integrimit në BE. Sepse, sa më shumë që rrimë jashtë BE-së dhe sa më shumë që shfaqet aleanca me Serbinë, kjo detyrimisht krijon segreacion në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut. Prandaj, më duhet të përsëritem, zgjidhje për këtë temë është vetëm integrimi në Bashkimin Europian.
Burimi:https://bgnes.bg/news/afrim-gashi-mini-shengen-e-mnogo-malka-idea-ta-ne-mozhe-da-izmesti-es/ (gj.bullgare)
https://bgnes.bg/en/news/full-eu-membership-is-the-only-solution-for-the-balkan-region/ (gj. angleze)