Kreu i Partise Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet sot në orën 9.00 në SPAK, në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje” për aferën Partizani.
Po sot, pritet të zhvillohet edhe seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për kalimin ose jo të kësaj dosjeje pas zvarritjeve të shumta.
Seanca e mëparshme, më 24 prill, u shty pasi avokatët e Berishës, Jamarbër Malltezit dhe Andia Pustinës kërkuan përjashtimin e gjyqtares Fjorela Davidhi, duke e akuzuar për njëanshmëri. Por kërkesa u rrëzua pak ditë më vonë, më 28 prill nga GJKKO, duke konfirmuar vijimin e procesit nga e njëjta gjyqtare.
Mbetet të shihet nëse pala mbrojtëse do të aplikojë sërish taktika zvarritjeje për të shtyrë vendimin përtej zgjedhjeve të 11 majit. Procesi ka hyrë në muajin e gjashtë që nga seanca e parë paraprake, më 24 tetor 2023. Shtyrjet kanë ardhur përmes mungesave të avokatëve, dhe së fundmi përmes kërkesës për përjashtim të gjyqtares.
Sakaq, para SPAK, siç tashmë e ka bërë “zakon”, Berisha ka mobilizuar edhe mbështetësit. Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka iu dërgoi një mesazh pak ditë më parë strukturave të partisë, ku thuhej:
“Ju lutem të mobilizojmë të gjitha strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty. Ora 08:30 para selisë së SKAP-it, faleminderit!”.
Ndaj ish-kryeministrit Berisha rëndon akuza e korrupsionit. Dhëndri i tij Jamarbër Malltezi (aktualisht në arrest shtëpie) si dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa ndaj dy të tjerëve, ortaktut të Malltezit Xhimi Begeja dhe Andia Pustinës, financieres së kompanisë “Homeplan” rëndon akuza e pastrimit të parave.