Në kushte të krizës, biznesi kërkon të sigurohet parashikueshmëri më e madhe që do të sjellë stabilitet më të madh për biznesbërjen në vend. Për këtë arsye, Odat ekonomike kërkojnë që në Qeverinë e ardhshme – t’u rezervohet një post zëvendëskryeministri nga radhët e biznesit.
Të lodhur edhe nga një vit turbulent ekonomik me rritje të ulët ekonomike, rritje të borxhit publik, me krizën politike që ishte faktori kryesor përkufizues për udhëheqjen e biznesit në vitin 2016, afaristët në Maqedoni kërkojnë pjesëmarrje aktive në pushtetin ekzekutiv dhe harmonizim të plotë të interesave të tyre me politikat qeveritare. Paqartësia politike i shkakton kokëçarje më të madhe biznesit dhe kompanive private, andaj afaristët në pritje të stabilizimit politik kanë ngadalësuar aktivitetin ekonomik, kurse të parat u goditën investimet e kompanive, shkruan gazeta KOHA.
Në kushte të krizës, biznesi kërkon të sigurohet parashikueshmëri më e madhe që do të sjellë stabilitet më të madh për biznesbërjen në vend. Për këtë arsye, odat ekonomike kërkojnë që një nga vendet e rezervuara në qeverinë e ardhshme të jetë për një zëvendëskryeministër nga radhët e biznesit. Kjo pritet të kontribuojë për përmirësimin e komunikimit të pushtetit ekzekutiv me sektorin e biznesit lidhur me problemet dhe dilemat e ndryshme që prekin punën e afaristëve. Kërkohet edhe rritja e pjesëmarrjes së komunitetit të biznesit në përgatitjen e legjislacionit dhe harmonizimi i ndryshimeve ligjore me kërkesat dhe nevojat e afaristëve.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se nevojitet të sqarohen disa dilema para zgjedhjes së një kuadri të tillë, me qëllim që puna e tij të jetë më efektive dhe më e dobishme.
“Një ide e tillë është e mirëseardhur, por së pari duhet që të jetë e qartë se çfarë ingerencash do të ketë një post i tillë, me qëllim që të mos kemi përputhje, për shembull, me Ministrinë e Ekonomisë. E dyta, nevojitet që një pozitë e tillë në ekzekutiv të jetë urë lidhëse midis qeverisë dhe biznesit, që do të dijë të harmonizojë interesat e afaristëve dhe politikat qeveritare. Një post i tillë do të ketë ingjerenca edhe në politikat zhvillimore ekonomike, të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të barazimit të kushteve të punës dhe investitorëve vendor dhe të huaj”, thotë drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Fatmir Bytyqi.
Sipas tij, zëvendëskryeministri i ri do të duhet ketë mandat të qartë të punës si dhe të ofrojë llogaridhënie, të ketë ingjerenca dhe program qartë të definuar, duhet të implementojë politikat zhvillimore që do t’i përgatisë komuniteti i biznesit si dhe të raportojë për punën e tij. Edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se në qeverinë e re duhet të ketë zëvendëskryeministër nga radhët e biznesit, që do të jetë person mbipartiak dhe ekspert, që do të del nga radhët e afaristëve dhe do të përgjigjet para tyre. Njëherazi, ai duhet të marrë pjesë në mënyrë aktive në kontrollin e politikave ekonomike qeveritare.
“Një pozitë e tillë në qeveri nënkupton se ai do të ketë nën kontroll legjislacionin para miratimit të tij. Gjithashtu, një zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështjet e biznesit do të ketë mundësi që të veprojë, përpara se të miratohen ligjet e ndryshme, që direkt ndikojnë në punën e biznesit. Pra, biznesi do të ketë qasje në përgatitjen e ligjeve, para se të kalojnë filtrat qeveritar dhe jo pasi ato të hyjnë në procedurë kuvendore”, thotë anëtar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Goran Rafajllovski.
Sipas tij, ndryshimet ligjore, reformat e ndryshme , strategjitë ekonomike dhe zhvillimore, janë vetëm një pjesë e çështjeve për përgatitjen edhe implementimin e të cilëve komuniteti i biznesit nuk dëshiron të jetë mbikëqyrës pasiv, por kërkon pjesëmarrje aktive dhe kontroll direkt ndaj zbatimit të politikave ekonomike.
Ndryshe, një nga shkaqet kryesore të kësaj iniciative të afaristëve është edhe lodhja nga paqartësia e ambientit politik, mungesa e parave të gatshme në biznes dhe më shumë probleme të tjera që vështirësojnë punën e afaristëve. Andaj vlerësohet se është koha që biznesi të jetë bashkëveprimtarë në përpilimin dhe realizimin në praktikë të politikave ekonomike dhe zhvillimore të shtetit.

