Alsat 11.08.2020 16:00
Shumica e 157 qytetarëve që kanë udhëtuar nga Shkupi për në Finlandë, nuk janë shtetas të Maqedonisë. Sipas njoftimeve të Ministrisë së Shëndetësisë 95 persona kanë udhëtuar me pasaportë të Kosovës, 60 me pasaportë të Finlandës, dy me pasaportë të Maqedonisë, ndërsa të tjerët me pasaporta të Bullgarisë, Estonisë dhe Suedisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë po ashtu njoftojnë se askush nga 24 personat të cilët kanë dalë pozitiv me Covid, gjatë testimeve vullnetare të bëra në aeroportin Turku të Finlandës, nuk ka pasur vendim për izolim në Maqedoni. Ky rast ka detyruar autoritetet finlandeze që të ndryshojnë politikat për mbrojtje nga Covid 19. Andaj vendosën që në të ardhmen askush të mos mund të hyjë në këtë shtet pa treguar test negativ PCR, ndërsa e detyrueshme do të jetë edhe karantina dy ditore.
Ndërkaq Ministria e shëndetësisë sot njoftoi se në vendin tonë në 24 orët e fundit ka edhe 141 raste të reja me koronavirus, nga 1885 testime të bëra. Numër dyshifror të të infektuarve ka regjistruar Shkupi, Shtipi, Kumanova dhe Gostivari. Organet shëndetësore njoftojnë se në 24 orët e fundit një person ka ndërruar jetë, ndërsa janë shëruar 161 pacientë.
Mefail Ismaili



