“Derti” i BDI-së dhe Ali Ahmetit nuk duket të jetë aq i lehtë para se të vendoset që të pranojë një qeveri me Nikolla Gruevskin e VMRO-së, apo me Zoran Zaevin e LSDM-së. Poashtu sipas anëtarit të Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, Adnan Azizi, parimore për BDI-në gjatë negociatave për formimin e qeverisë nuk është jetësimi i “Platformës dhe Deklaratës së Përbashkët” të partive shqiptare, por si ta shpëtojnë veten më lehtë. Pra sipas Azizit një gjë është e sigurtë, BDI ndjehet e kërcënuar nga publikimi i kriminalitetit të tyre nga të dyja anët, si ngaVMRO-ja, ashtu edhe nga LSDM-ja. Në fund, Azizi shpreh keqardhje për funksionarët e BDI-së, duke thënë: “Askush asnjëherë mos qoftë në lekurën e BDI-së”.
“Dilema hamletiane: Të jesh ose mos të jesh! Të dorëzosh veten ose shokët, te gjykohesh sot ose nesër, kjo është cështja?!
Ditën e diel, BDI duhet që të vendos për fatin e saj dhe jo për “fatin e shqiptarëve dhe fatin e Maqedonisë”. BDI është në mes dy zgjidhjeve të pazgjidhshme, nëse bënë koalicion me VMRO-në kërcënohet nga vazhdimi i “bombave” të LSDM-së, nëse koalicionon me LSDM-në kërcënohet nga “usb”-të e VMRO-së, pasi kjo e fundit e ka porositur shkurt dhe qartë “Nëse ju nuk vini me ne, atëherë ju e dini pjesën tjetër…”. Prokuroria Speciale Publike është shqetësimi tjetër i madh i BDI-së, nëse nuk e përkrah do të akuzohet nga gjithë shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar, nëse e përkrah, PSP do të vazhdojë të ngrejë akuza ndaj funksionarëve të saj. Prandaj, të mendosh se BDI bënë përpjekje për jetësimin e “Platformës dhe Deklaratës së Përbashkët” është jashtë çdo logjike, pasi botërisht është e ditur se BDI ka dertin e shpëtimit të saj dhe jo përfaqësimit të shqiptarëve. Thjesht, askush asnjëherë mos qoftë në lekurën e BDI-së…”, ka shkruar në rrjetin social facebook, anëtari i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, Adnan Azizi.