Më së voni deri nesër në mbrëmje do të mësohet nëse më 25 dhjetor do të ketë rivotim ose do të certifikohet rezultati aktual i zgjedhjeve dhe mandateve të fituara më 11 dhjetor. Fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Administrative, e cila tanimë ka caktuar për sonte shqyrtimin e dy padive të LSDM-së, nga katër sa ka dorëzuar gjithsej kjo parti. Lënda e parë do të shqyrtohet në ora 18:00, ndërsa tjetra është caktuar për gjysmë ore më vonë. Këshilli i Gjykatësve do të përbëhet nga: Vesna Jovanovska, kryetare e këshillit dhe katër anëtarët e tjerë, Burim Sejdini, Aneta Xhigerova, Gjoko Zhivkovski, Dragosllav Radiçevski. Përveç dy padive të opozitës maqedonase, gjykata pritet të caktojë edhe seancën për shqyrtimin e padisë së VMRO-DPMNE-së ndaj vendimit të KSHZ-së për ripërsëritje të votimit në një vendvotim në Gostivar.
“Në kuadër të padisë, shërbimi juridik i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” ka dorëzuar edhe numër të caktuar të dëshmive me të cilat konfirmohet se KSHZ e ka sjellë vendimin në mënyrë të paligjshme dhe të pabazë. VMRO-DPMNE bën thirrje që të mos bëhet trysni ndaj Gjykatës Administrative nga askush dhe gjykatësit të vendosin vetëm në bazë të ligjit. Çdo veprim tjetër do të ishte falsifikim dhe vjedhje e qartë e vullnetit të qytetarëve me inxhinjering post-zgjedhor”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Gjykata Administrative vendimin pritet ta marrë brenda 48 orëve pas pranimit të padive, ndërsa në afat prej 24 orëve ta publikojë në ueb-faqe. Pas dorëzimit të padisë nga VMRO-DPMNE, Gjykata Administrative do të zgjedhë përmes shortit publik një këshill prej pesë gjykatësve të cilët do të shqyrtojnë padinë. Vendimi që do të publikohet edhe në faqen e KSHZ-së, do të përmbajë edhe mënyrën e votimit të çdo gjyqtari individualisht. Nëse Gjykata Administrative konfirmon vendimin e KSHZ-së, për rivotim në Gostivar dhe nëse eventualisht pranon edhe ndonjë nga ankesat e LSDM-së dhe shpall rivotim në ndonjë vend tjetër, atëherë përsëritja e votimit duhet të mbahet më 25 dhjetor. Cilët do të jenë gjykatësit që do të trajtojnë paditë e partive ende nuk dihet, ndërsa sipas vlerësimeve të para në opinion kjo do të jetë një psrovë historike për gjykatën administrative pas debateve të shumta lidhur me pavarësinë e gjyqësorit në vend. Ndërkohë, pesë gjyqtarë të Gjykatës Administrative tanimë janë nën hetim në një lëndë të hapur nga Prokuroria Speciale ndërsa ka të bëj me dyshime për mashtrime zgjedhore. Gjyqtarët dyshohen për keqpërdorim të funksionit të tyre për qëllime partiake- zgjidhje gjyqësore të padive në favor të partisë në pushtet. Pas akuzave të kryetarit të Këshillit Gjyqësor Zoran Karagjovski se ka presion mbi gjykatën dhe se pesë prej tyre janë thirrur për bisedë në PSP, gjykatësja Lençe Ristevska ka thënë se ky rast nuk ka të bëjë me zgjedhjet aktuale dhe se askush nuk mund të jetë imun ndaj ligjit.
“Çdo individ i cili punon në administratën publike, edhe në gjyqësor, nuk është imun ndaj hetimeve ku ekzistojnë dyshime për vepra të kryera penale”, ka thënë Ristoska.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Administrativja zgjodhi gjykatësit e zgjedhjeve by tvshenjaofficial