Gjykata Administrative ka përfunduar me shqyrtimin e pesë padive të ngritura nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 11 dhjetorit, ndaj vendimeve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, raporton SHENJA.
Katër parti janë dorëzuar nga LSDM dhe një nga VMRO-DPMNE. Dy paditë e LSDM-së u shqyrtuan mbrëmë, ndërsa dy paditë e tjera të kësaj partie dhe një padi të ngritur nga VMRO-DPMNE i kanë shqyrtuar gjatë ditës së sotme. Njërën padi të LSDM-së sot një këshill pesëanëtarësh i gjykatësve të Gjykatës Administrative e shqyrtoi në mëngjes, ndërsa në mesditë në dy seanca që u mbajtën paralelisht në mesditë u shqyrtuan padia e katërt e LSDM-së, si dhe padia e ngritur nga VMRO-DPMNE.
Kjo e fundit ishte kundër vendimit të KSHZ-së, për të përsëritur votimet në një vendvotim në Komunën e Gostivarit ku një qytetareje nuk i është lejuar të votojë pasi Këshilli Zgjedhor në atë vendvotim kishte konstatuar se në emër të votueses veç kishte një nënshkrim.
Me kërkesë të KSHZ-së, eksperti grafolog konstatoi se nënshkrimi nuk i takon votueses në fjalë, andaj dhe KSHZ vendosi të përsërisë zgjedhjet në atë vendvotim.
Kjo pikë ka ngjallur interesim më të madh në opinion për faktin se në të ka rreth 900 votues, ndërsa LSDM-së i nevojiten vetëm edhe 300 vota më shumë sesa kishte marrë më 11 dhjetor që t’i marrë një deputet VMRO-DPMNE-së dhe me këtë të barazohen shifrat e mandateve të dy partive me nga 50 për secilën. Vendimi për padinë e VMRO-DPMNE-së për vendvotimin në Gostivar ashtu si edhe për ankesën e katërt të LSDM-së pritet më së voni deri nesër në ora 12:00 të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës Administrative. Po nesër në mëngjes skadon afati për publikimin e vendimit edhe për ankesën tjetër të LSDM-së, ndërsa për dy ankesat e tjera të kësaj partie që u shqyrtuan mbrëmë, gjykata duhet të publikojë vendimin më së voni deri sonte në orën 19:00.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Administrativja shqyrtoi paditë e partive… by tvshenjaofficial