Policia e Kumanovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike të Kumanovës ka ngritur kallëzim penal kundër personit me iniciale N.A. (31) nga fshati Sllupçan, Komuna e Likovës, për kryerjen e veprave penale “abuzim seksual përdhunim dhe shantazh”, si dhe kundër personit me iniciale Q.M. (28) nga fshati Sllupçan, për kryerjen e veprës penale “abuzim seksual dhe përdhunim”.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, N.A., kundër vullnetit të saj të shprehur qartë, ka kryer akte seksuale ndaj një vajze të mitur në rajonin e Likovës dhe e ka detyruar atë të kryejë akte seksuale me Q.M.
Më pas, N.A. e ka shantazhuar të miturën duke e kërcënuar se do t’i publikojë fotot e saj eksplicite, nëse ajo nuk i paguan 20.000 euro.
Vajza u detyrua të merrte para nga shtëpia pa dijeninë e prindërve të saj dhe të merrte hua nga persona të tjerë dhe në disa raste ajo ia ka dhënë paratë personit me iniciale N.A.
Prokurori Publik, duke konsideruar se janë përmbushur bazat ligjore, i ka paraqitur propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Kumanovë për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit të cilët janë të privuar nga liria.
Në interes të hetimit dhe nevojës për të mbrojtur viktimën e mitur, Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme apelojnë për raportim të kujdesshëm dhe etik të ngjarjes, si dhe përdorimin e burimeve zyrtare./MTV2


