Në një politikë ballkanike me dinamikë marramendëse, ku kritikat mes kundërshtarëve zënë pjesën më të madhe në debatet publike dhe programet e fushatave, se sa ofertat e mirëfillta, ndeshen shpesh deklaratat kontradiktore.
Pikërisht në këtë dinamikë që karakterizon edhe politikën në Maqedoni, kontribuuese janë edhe koalicionet e shpeshta të kohëve të fundit.
Dikur kritikë të ashpër, sot shihen me buzë në gaz pranë njëri-tjetrit, duke mos pasur një argument me baza të forta ,se si atyre që dikur i cilësonin si “ kriminel”, sot ju japin mbështetje, shkruan Almakos.
Rasti më i fundit i një situate të tillë, ishte mbrëmjen e kaluar në emisionin “ Click Plus” , ku përballë qëndronin dy koalicionet, BDI-LSDM dhe BESA-Aleanca.
Një nga pikat më të nxehta të debatit ishte kur Zejd Rexhepi, nga Levizja BESA, i rikujtoi Muhamed Zeqirit, nga LSDM, akuzat që kishte bërë drejtuar BDI-së, para se Zeqiri të bëhej pjesë e LSDM, parti e cila është në qeveri me BDI-në.
“Rexhepi:Fakt është që ti ke thënë që çdo votë për BDI është vote për VMRO-DPMNE-në.
Zeqiri: E kam thënë në atë kohë.
Rexhepi: Po si ndryshoi?!
Zeqiri: Po ndryshoi, sepse jemi partner, o burrë tash.”
Për këtë argumentim të përfaqësuesit të LSDM-së,njohësit e çështjeve politike në vend kanë pasur reagimet e tyre, duke e vlerësuar si të dobët.
Sipas politikologut Deniz Memedi, në debat vërehej mungesa e kulturës për të dëgjuar kundërshtarin, si dhe argumentim i vakët për veprimet politike të subjekteve që përfaqësonin.
“Mbrëmë nga debati i përfaqësuesve të partive politike, i vetmi i cili tregoi kulturë të debatit parlamentar ishte Remzi Mehmedi, nga Aleanca për Shqiptarët . Përfaqësuesi shqiptar i LSDM-së, duke mos pasur argumente për ta arsyetuar koalicionin me BDI-në, mbështetje të vetëm e kishte frazën në formë të britmës ” O BURRË” ose “JO MORE BURRË”. Përfaqësuesi i BESËS, shmangte përgjigjen për pyetjen se pse koalicioni me Aleancën nuk u bë shumë më herët. Ndërsa, përfaqësuesi i BDI-së thërriste për përgjegjësi morale nga Taravari, për 127 foshnje të vdekura. Në rast se është ashtu ka të drejtë, por ama, në rast se vlen i njëjti parim edhe për anëtarësinë e tij është dashur të japin shumë dorëheqje deri me tani”- politikologut Deniz Memedi.
Ndërkohë, analisti Albert Musliu, këmbëngul që partitë politike që mendojnë më gjatë akuzat që bëjnë dhe jo vetëm momentin në të cilin i bëjnë. Sipas tij, partitë politike duhet patjetër të ndryshojnë fjalorin dhe sjelljen që përdorin në politikbërje.
“E kam thënë edhe më parë që partitë duhet të ndryshojnë sjelljen dhe fjalorin gjatë debateve dhe jo vetëm. Nga kundërshtarët politik është normale që të bëhen kritika, sepse i ka politika këto, por duhet të kenë kujdes me akuzat që bëjnë, sepse dikur edhe Aleanca ma BESËN kritikoheshin, por tani janë në koalicion. Në debatin e mbrëmshëm duhej të flitej për garën në qeverisjen lokale, por tema u zgjerua duke përfshirë edhe pushtetin qendrorë. Sa i përket deklaratës të cilës i referoheni, e njëjta është kuptuar në mënyra të ndryshme nga persona të ndryshëm.”- tha analisti Albert Musliu.
Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, partitë politike më të mëdha shqiptare në vend, përveç se akuzojnë njëri-tjetrin, proklamojnë edhe se vet janë fitues, kurse kundërshtarët humbës.
Raundi i dytë i zgjedhjeve pritet të zhvillohet më datë 29 tetor.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com