Analisti ekonomik i njohur Abil Baush ka reaguar me tone të ashpra ndaj mënyrës së qeverisjes së partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se, pavarësisht viteve të tëra pjesëmarrjeje në pushtet dhe institucione, ato ende nuk i kanë mësuar bazat e funksionimit shtetëror.
Sipas Baushit, partitë shqiptare nuk i njohin procedurat ligjore, nuk janë të afta të përgatisin akte dhe vendime të vlefshme, ndërsa ndërtimi i buxheteve serioze për institucionet që drejtojnë mbetet një mangësi e theksuar. Ai vlerëson se për buxhetim strategjik dhe zhvillimor “as që bëhet fjalë”, pasi gjithçka reduktohet në buxhete shteruese, pa vizion dhe pa ndjenjë përgjegjësie.
Duke komentuar debatet publike rreth punësimeve dhe ç’punësimeve në institucione, si dhe rastet e politizuara në repartet gjinekologjike në Çair apo në Spitalin e Tetovës, Baushi thekson se këto shndërrohen lehtësisht në spektakël politik, ndërsa thelbi i problemit mbetet i pandryshuar: mungesa e menaxhimit profesional, planifikimit financiar dhe përgjegjësisë institucionale.
“Institucionet nuk dështojnë për shkak të mjekëve, infermierëve apo administratës së thjeshtë. Ato dështojnë sepse politika i trajton si pronë partiake, jo si shërbim publik”, shkruan Baushi.
Ai përfundon se derisa partitë shqiptare të kuptojnë se qeverisja nuk është propagandë, por dije, procedurë dhe llogaridhënie, qytetarët do të vazhdojnë ta paguajnë çmimin e paaftësisë politike.


