Ish i burgosuri politik, Emin Kelmendi, ka përshkruar momentet e vështira gjatë arrestimit të tij për herë të parë në vitin 1981.
Ai ka treguar se më 13 korrik 1981, policia kishte ardhur në shtëpinë e tij, ndërsa më 14 korrik kishte shkuar vetë në stacionin e policisë në Obiliq.
Atje, ai u përball me Gjergj Berishën nga Klina, i cili kishte ardhur për ta parë dhe më vonë, me Sabit Gashin dhe një serb të pranishëm.
Kelmendi përshkruan se Abdullah Daka, një nga hetuesit, i kishte thënë se e kishte gënjyer Gjergj Berishën dhe i kërkoi të shkruante gjithçka që kishte ndodhur.
“Unë më 13 korrik 81 kanë ardhur më kanë kërkuar në shtëpi policia, më datë 14 korrik kama shkuar vet në stacion të policisë në Obiliq. Më kanë dërgu më pas në Prishtinë e kemi pritur Gjergj Berishën nga ana e Klinës. Kur erdh ai te dera më shikonte, po qesh pak edhe iu afrova duke i thënë, ku je? Sabit Gashi ka qenë aty i ulur me kollare edhe një serb”, ka thënë Kelemendi, në Debat Plus të RTV Dukagjini.
Ai tregon se gjatë natës, Abdullah Daka e kishte ndaluar dhe e kishte goditur me shuplakë, dhe se kishte përfunduar në një përplasje fizike me të.
Kelmendi përshkruan këtë moment si një përballje të ashpër dhe të dhunshme me pjesëtarët e UDB-së.
“Abdullah Daka më ka thënë se e ke rrejt atë shokun Gjergjin, krejt. ‘Merre letrën shkruj krejt çfarë ka ndodhur’. Më kanë marrë në darkë. Si kam hy: ‘A ke menu, a ke shkru?’. T’mu ka ndalë shuplakë Abdullah Daka. Ia kom kërsit edhe unë atij. E tani aty kanë kcy, sikur qentë”, është shprehur ai. /Dukagjini/